Vjen në Muzeun Kombëtar të Kosovës ekspozita “Raffaello portretist”, promovuar nga Ministria e Punëve te Jashtme e Italisë dhe Raicom, në kuadër të projektit Opera Omnia.
E kuruar nga historiani i artit Antonio Paolucci, ekspozita i paraqet publikut riprodhimet në përmasa origjinale të 14 veprave të mrekullueshme të mjeshtrit të madh italian, 500 vjetori i vdekjes së të cilit u përkujtua në vitin 2020. Ndër portretet bien në sy "Portreti i Baldassarre Castiglione" (Luvri) dhe "Portreti Zonja me njëbrirësh" (Galeria Borghese).
Falë përdorimit të teknikave inovative, duke filluar nga fotografitë të cilat vijnë nga arkivat e televizionit publik italian RAI, riprodhimet e pikturave i ruajnë të gjitha detajet, nuancat, dhe ngjyrat e origjinaleve. Sistemi i ndriçimit të pasmë dhe një strukturë e veçantë mbështetëse lejon një pamje optimale të veprave nga çdo kënd. Po ashtu, një strukturë multimediale dhe ndërvepruese i lejon publikut të zbulojë jetën dhe veprat e Raffaellos.
Ekspozita - e realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Italisë në Prishtinë, Institutit Italian të Kulturës në Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës – do të qëndroj e hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës (Rr. Ibrahim Lutfiu ) çdo ditë nga e marta, 21 shtator deri te dielën 10 tetor 2021 (orari 10:00 – 18:00), përveç të hënave. Në ditën e përurimit, e martë 21 shtator, do të jetë e hapur për publikun prej orës 12:00.
Për të hyrë në Muze, në përputhje me masat e reja kundër covid në fuqi, duhet te paraqitet një nga dëshmitë në vijim: certifikata për marrjen të paktën e një doze të vaksinës; testi negativ i kryer në 48 orët e fundit (antigjen) ose 72 orët e fundit (molekular); certifikata e lëshuar më së shumti para 30 ditësh, që dëshmon se keni kaluar sëmundjen dhe keni antitrupa Ig.
Ekspozita, e cila tashmë ka ndaluar në Tunizi, Turqi dhe Finlande, pas Kosovës do të vazhdojë në Maqedoninë e Veriut.