Kjo faqe web përdor cookies për të ofruar një përvojë më të mirë. Me vazhdimin e navigation pranon përdorimin e cookies nga ana jonë OK

Deklaratë e përbashkët (Franca, Gjermania, Italia, MB, SHBA) për Kosovën

Data:

23/03/2022


Deklaratë e përbashkët (Franca, Gjermania, Italia, MB, SHBA) për Kosovën

Muajve të kaluar, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë angazhuar në mënyrë intensive me qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për të gjetur zgjidhje pragmatike për t’ua mundësuar qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote për të ushtruar të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë të 3 prillit 2022.

E kuptojmë që qeveria e Kosovës ka autoritetin për të vendosur nëse do të lejojë apo jo lehtësimin e votimit në zgjedhjet e një vendi tjetër. Përderisa e vlerësojmë gatishmërinë e Serbisë për të gjetur zgjidhje, me keqardhje të madhe vëmë në pah vendimin e qeverisë së Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të paraqitur nga Quint-i. Me këtë vendim, qeveria e Kosovës ka dështuar të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë pjesëtarëve të pakicave.

Një sjellje e tillë e qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet tona dhe do të dëmtojë aspiratat e saj evropiane.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, e mirëpritëm rreshtimin e Kosovës me deklaratat dhe shpalljet që i miratuan shtetet anëtare të BE-së dhe Quint-it. Megjithatë, Kosova gjithashtu duhet të zbatojë vlerat dhe përgjegjësitë e saj themelore ndaj stabilitetit rajonal dhe respektimit të proceseve demokratike, si dhe të zotohet për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të pakicave.

Presim që qeveria e Kosovës të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj, të punojë për të ulur tensionet dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo është thelbësore për arritjen e përparimit drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve që përfundimisht do të zhbllokojë perspektivën e Kosovës drejt BE-së.

Sërish theksojmë thirrjen tonë të fuqishme për Kosovën dhe Serbinë për tu përmbajtur nga çfarëdo veprimi apo retorikë që rrisin tensionet dhe që mund të çojnë drejt incidenteve.


Vendi:

Parigi, Berlino, Roma, Londra, Washington

469