Nënshkruhet kontrata mes Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim në Ballkanin Perëndimor dhe Organizatave të Shoqërisë Civile Volontari nel Mondo dhe Centro Laici Italiani per le Missioni për zbatimin e projektit NaturKosovo: kapitali natyror dhe kulturor në Kosovë dhe zhvillimi turistik i qëndrueshem i Rrugës Dinarike.
Projekti, i cili ka një vlerë prej 1.800.000 eurosh, do të ketë një kohëzgjatje trevjeçare nga viti 2022 deri në vitin 2024. Objektivi i tij është mbështetja e zhvillimit social-ekonomik dhe e qëndrueshmërisë së bashkësive vendore. Për të arritur këtë objektiv, Italia jep përvojën e disa prej best practices të saj në ndihmën alpine, në menaxhimin publik të burimeve mjedisore dhe në ofertën e turizmit të përgjegjshëm.
Në Kosovë, partneri për zbatimin e projektit është Utalaya Foundation, fondacioni i alpinistes Uta Ibrahimi, gruaja e parë kosovare që është ngjitur në Everest dhe e vlerësuar si Sustainable Development Goals Champion nga Kombet e Bashkuara, si aktive prej vitesh në luftën për mbrojtjen e mjedisit, të barazisë gjinore dhe të fuqizimit të brezave të rinj. Partnerët italianë të projektit janë Klubi Alpin Italian, Trupa Kombëtare e Ndihmës Alpine dhe Speleologjike dhe Shoqata Italiane e Turizmit të Përgjegjshëm.
“Qeverisja institucionale sipas standarteve evropiane, ciklet e sakta ekonomike për mikro ndërmarrjet turistike dhe krijimi i vendeve të reja të punës, janë rezultatet që mund të ndikojnë konkretisht në një kuptim të ri të identitetit të bashkësive vendore dhe në parandalimin e konflikteve territoriale dhe të rrezikut të emigrimit” kanë deklaruar Ambasadori Italian në Kosovë, Antonello De Riu dhe Drejtoresha e Zyrës AICS Tiranë, Stefania Vizzaccaro.
Në këtë perspektivë, Ambasada Italiane në Prishtinë dhe Agjencia Italiane e Bashkëpunimt për Zhvillim, në bashkëpunim të ngushtë me Autoritetet e Kosovës, do të vazhdojnë të jenë të angazhuara për zhvillimin e shpejtë të Rrugës Dinarike e cila përshkon vendet e Ballkanit Perëndimor me forcën e bukurisë së saj natyrore dhe kulturore, plotësisht evropiane.