Kjo faqe web përdor cookies për të ofruar një përvojë më të mirë. Me vazhdimin e navigation pranon përdorimin e cookies nga ana jonë OK

Intervistë e Amb. De Riu për KosovaPress. Fokusi: dialogu, liberal. i vizave, ngjarjet kulturore

Data:

25/07/2022


Intervistë e Amb. De Riu për KosovaPress. Fokusi: dialogu, liberal. i vizave, ngjarjet kulturore

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, është optimist se nën presidencën çeke do të hidhet hapi i parë për liberalizimin e vizave për Kosovën. Në një intervistë për “Kosova Press”, ai thotë se Vendi i tij mbështet fuqishëm heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ndërkohë, diplomati italian, mbështet dialogun Kosovë-Serbi, derisa thekson se integrimi evropian është i vështirë për dy shtete që kanë çështje kritike mes veti.

“Qëndrimi i Italisë për liberalizimin e vizave është i qartë që nga fillimi. Italia mbështet liberalizimin e vizave, pasi që Kosova është i vetmi Vend i Ballkanit Perëndimor që i nënshtrohet kësaj disipline. Qytetarët kosovarë e njohin edhe natyrën e procedurave brenda BE-së, por sigurisht e dinë se Italia do të vazhdojë ta mbështesë qëndrimin e Kosovës me partnerët evropian, duke u munduar që t’i bindë partnerët e fundit të cilët ende s’kanë marrë një vendim sa i përket kësaj. Shpresojmë se me Presidencën çeke, do të mund të hidhet një hap i parë i rëndësishëm për të nisur këtë proces, fatkeqësisht deri tash të bllokuar”, thotë ai.

Duke folur për dialogun, Ambasadori De Riu, thotë se parimi i palës kosovare për njohje reciproke, nuk ka qenë i përfshirë në fillim të dialogut.

Sipas tij, dy Vendet duhet të kenë parasysh se vetëm përmes gjetjes së një zgjidhjeje do të kenë të ardhme evropiane.

“Para së gjithash, e dimë se qëndrimi i Serbisë dhe Kosovës ndikohet nga historia e së kaluarës dhe njëkohësisht të dy Vendet duhet ta kenë të qartë se vetëm përmes dialogut të mbështetur nga BE-ja, do të mund të ecin në rrugën e integrimit evropian. Në anën tjetër është e vështirë të imagjinojmë një integrim evropian mes dy vendeve që vazhdojnë të kenë çështje kritike. Politika është arti i të mundurës, mjafton të ushtrohet ky parim, si nga pala kosovare dhe ajo serbe, atëherë mund të arrihet një përfitim konkret, që është ai që të çon në integrimin evropian, sepse qytetarët janë ata që do të përfitojnë… …Fjala është për një parim (njohja reciproke), i cili është ngritur disa herë nga autoritetet kosovare edhe pse nuk ishte përfshirë në fillim të dialogut. Dialogu ka për qëllim të krijojë, të vendosë tullat për të ndërtuar një objekt që pas një kohe duhet t’ia arrijë t’i normalizojë marrëdhëniet”, shton ai.

Lidhur me bashkëpunimin Itali-Kosovë, ambasadori De Riu, thotë se i njëjti duhet të thellohet më tej, derisa tregon disa nga investimet italiane në Kosovë.

“Italia është partner shumë i mirë i Kosovës, sepse është partneri i 5-të më i madh i vendit, por ka ende shumë vend për ta rritur, mbi të gjitha praninë italiane në Kosovë. Po e sqaroj më mirë: Nëse arrijmë të japim informacione më të mira për mundësitë që mund të gjejnë në Kosovë kompanitë italiane, duke ardhur këtu, kjo do të sillte përfitime, qoftë për kompanitë italiane që bëhen më konkurrente por sidomos për qytetarët e Kosovës që do të kenë më shumë mundësi punësimi dhe më shumë mundësi që të rrinë në Vendin e tyre, duke mos u larguar në Vende tjera për të kërkuar punë. Duke parë vështirësitë për të ofruar më shumë informacione për Kosovën në Itali, po punojmë shumë me kompanitë italiane të pranishme në Shqipëri, sepse për dallim nga kolegët e tyre në Itali, ato tashmë e kanë një ide rreth kulturës shqiptare dhe kosovare, pasi gjenden afër. Megjithatë, jemi të kënaqur që së fundmi, një nga kompanitë e para italiane tashmë e pranishme në Shqipëri, muajin e kaluar vendosi të ndërtojë në Kosovë, afër Prishtinës në Lipjan, duke krijuar vende pune për rreth 60 gra. E dimë që nëse ia dalim, do të jenë pikërisht ato pak kompani që do t'i bëjnë publicitet më të mirë Kosovës duke sjellë edhe kompani të tjera. E them këtë sepse e di nga përvoja ime në Tunis, kështu ka ndodhur dhe tani janë 600 kompani italiane. Si për nismat kulturore ku kërkojmë bashkëpunim, e njëjta vlen edhe për nismat ekonomike. Duam të vijmë në Kosovë dhe t’u japim punë kompanive e njerëzve dhe të shmangim që vendi të mbetet pa burime kryesore të fuqisë punëtore, për shkak të largimit të të rinjve”, deklaron ai.

Ndërkohë, tregon edhe disa nga aktivitetet kulturore që do të përkrahen nga Ambasada e Italisë në Kosovë.

“Kemi filluar më 12 korrik me Universitetin e Prishtinës me Verën Ndërkombëtare, ku sollëm disa nga shijet e gastronomisë italiane për studentët kosovarë të Universitetit të Prishtinës. Mbi të gjitha, ne mbështesim Manifesta14 Prishtina, qoftë drejtpërdrejt përmes kontributit financiar por edhe në natyrë nga një kompani e madhe italiane e quajtur Generale Costruzioni Ferroviarie, e cila ka ndihmuar në ndërtimin e Korridorit të Gjelbër. Edhe ne si Ambasadë e kemi organizuar paralelisht ekspozitën që quhet Ecodesign që shënon 3Codesign, që do të mbahet në Galerinë Bogdani Polis, në Katedralen “Nënë Tereza” dhe do ta inaugurojmë më 29 korrik, sigurisht dua të ftoj publikun të marrë pjesë. Ekspozita do të zhvillohet sipas tri parimeve të ekonomisë rrethore: tri shkronjat R: reduktim, riciklim dhe ripërdorim. Është një temë plotësisht në përputhje me parimet e Manifesta14. Do të ketë një përzgjedhje të gjerë të objekteve të projektimit të bëra nga stilistë italianë ose industri italiane të cilat janë bërë me material të ricikluar dhe të qëndrueshëm. Ne gjithashtu mbështesim Festivalin e Gastronomisë në Prishtinë, me dy shefa të kuzhinës italiane, që do të gjallërojë ditën e arbëreshëve të Italisë, më 31 korrik, sepse ne kemi një lidhje të fortë me Shqipërinë përmes komunitetit arbëresh në Itali. Ne do të mbështesim edhe nisma të tjera me këta shefa të kuzhinës, me një kompani këtu në Kosovë, e cila merr pjesë në Festivalin e Gastronomisë dhe ka një gamë të gjerë të produkteve italiane, që është Conad. Do ta mbështesim edhe mbrëmjen Gala të Ramë Lahajt në kuadër të International Opera Festival, që do të mbahet më 31 korrik. Do të sjellim edhe pesë artistë të rinj të rrugës, në Meeting of Styles, një manifestim i organizuar këtu”, tha ai duke shtuar se do ta mbështesin edhe Sunny Hill Festival dhe Dokufest.

“Kemi vendosur të mbështesim ardhjen e këngëtarit të njohur italian, Mahmood, për të marrë pjesë në festivalin Sunny Hill. Ne synojmë të shfrytëzojmë famën që Mahmood gëzon në Itali për të shtuar informacionet rreth Kosovës tek italianët, që fatkeqësisht janë të pakta. Dhe në fund, e përmbyllim me Dokufest në Prizren që po ashtu do ta mbështesim duke dhënë ndihmën tonë për një sukses më të madh të nismës. Një muaj italian, praktikisht me 10 ngjarje, që ka për qëllim bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e aktiviteteve që organizohen nga subjekte dhe organizata kosovare”, përfundon Ambasadori De Riu.


Vendi:

Pristina

Autori:

KosovaPress

489