Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar Antonio Tajani dhe Ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto vizituan Beogradin dhe Prishtinën, për takime me Presidentët dhe kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës, si dhe me homologët e tyre.
Duke bërë thirrje palëve për ndjenjë përgjegjësie, Italia synon t'i inkurajojë të dy Vendet në intensifikimin e dialogut, për të kapërcyer tensionet e fundit mes dy tyre, si dhe për t'i dhënë shtysë perspektivës së tyre evropiane. Stabiliteti i Ballkanit është qëllim parësor për vendin tonë, i cili gjithmonë ka punuar për sigurinë dhe paqen e rajonit, edhe përmes pjesëmarrjes në Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe në misionin evropian EULEX.
Vizita në Prishtinë filloi me takime dypalëshe: Ministri i Punëve të Jashtme takoi homologen e tij, Donika Gërvalla-Schwarz , kurse Ministri Mbrojtjes takoi Armend Mehaj. Më pas janë zhvilluar takime të përbashkëta me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrin, Albin Kurti . Të gjithë bashkëbiseduesve kosovarë u është ritheksuar nevoja për ulje të tensioneve dhe gatishmëria e Italisë për të marrë përgjegjësinë, në koordinim me BE-në dhe partnerët kryesorë ndërkombëtarë, e përacktimit të një rrugëdaljeje nga kriza aktuale, e shkaktuar nga masat për targat e automjeteve.
Në planin dypalësh, si ministri Tajani ashtu edhe Ministri Crosetto rikonfirmuan vullnetin e tyre për të forcuar bashkëpunimin politik, ekonomik dhe kulturor mes dy Vendeve tona.
Në fund të misionit, dy Ministrat vizituan bazën e misionit të KFOR-it, të komanduar nga Gjenerali Ristuccia. Kontigjenti italian, i vendosur në zona të ndryshme të Vendit, është më i madhi i misionit ndërkombëtar me mbi 750 njësi për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.