Questo sito utilizza cookie tecnici, analytics e di terze parti.
Proseguendo nella navigazione accetti l'utilizzo dei cookie.

Preferenze cookies

Recetat e dialogut. Në Kosovë mbahet “Java e kuzhinës italiane në botë”

Ushqimi është pasion, traditë, inovacion, por gjithashtu – dhe mbi të gjitha – është kulturë. Prandaj, mund të bëhet një mjet i fuqishëm i dialogut. Pikërisht për këtë, është Ambasada e Italisë në Kosovë që për “Javën e kuzhinës italiane në Botë” (14-20 nëntor) ka paraqitur një kalendar ngjarjesh të fokusuar te të rinjtë, trajnimet dhe dialogu ndërkulturor, në një moment veçanërisht të tensionuar të negociatave mes Prishtinës e Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve.

Edicioni do të hapet dhe mbyllet simbolikisht nga studentët. Do të fillojë me një mbrëmje në Ambasadë, të hënën, më 14 nëntor, kushtuar nxënësve dhe studentëve të italishtes, të komuniteteve të ndryshme, të cilët do të mblidhen për të shikuar një film dhe për të shijuar lazanjen tipike të Rajonit të Emilias, të përgatitur nga stafi i Ambasadës. Java do të mbyllet të shtunën, më 19 nëntor me një laborator të kuzhinës italiane në kopshtin “Botanika” në Prishtinë, ku prindërit dhe fëmijët – edhe në këtë rast, të komuniteteve të ndryshme – do të përgatisin tortelli me kunguj dhe spinaq në mensën e rinovuar së fundmi nga OJQ-ja “Volontari nel Mondo RTM” në kuadër të projektit të financuar nga Agjencia italiane për bashkëpunim zhvillimor. Në mes do të jenë ngjarjet tradicionale festive si programe gatimi, darka nga shefa të njohur të kuzhinës, shijime të verës dhe vajit të ullirit ekstra të virgjër biologjik, autorët e të cilave vijnë nga Poli Tekniku Mesdhetar “Aldo Moro” në Santa Cesarea Terme (Leçe), qendër trajnimi ekselence në sektorin e ushqimit, verës e hotelerisë dhe nga Shoqata Italiane e Somelierëve (AIS), e cila synon të promovojë dhe përhapë kulturën e verës.

Ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu u shpreh: “Tema e edicionit të sivjetmë është “festim, qëndrueshmëri dhe inovacion: përbërësit e kuzhinës italiane për shëndetin e njerëzve dhe mbrojtjen e planetit”. Nuk ka më mirë, pra, të kujtojmë se si gatimi është mjet i jashtëzakonshëm për njohje të dyanshme, në një moment historik të karakterizuar nga tensione të forta, por edhe një forcë shtytëse për zhvillimin ekonomik për një vend të ri si Kosova, i hapur ndaj inovacionit, ku ka shumë potenciale për sektorin agro-industrial dhe të hotelerisë si atraksion turistik. Si Itali, duam të kontribuojmë aktivisht në këtë zhvillim: me operatorët tanë, produktet tona dhe mbi të gjitha me ekspertizën tonë”.

Në kalendarin e ngjarjeve të “Javës së kuzhinës italiane” në Kosovë organizohen dy “darka nga shefat e kuzhinës” (në dy nga hotelet më prestigjioze në nivel vendi, “Swiss Diamond” në Prishtinë dhe ” Dukagjini ” në Pejë ) të përgatitura nga gjashtë kuzhinierë, studentë dhe profesorë të shkollës Santa Cesarea Terme, të udhëhequr nga drejtori Paolo Aprile, të cilët do të prezantojnë menytë e frymëzuara nga tradita gastronomike e Rajonit të Puljes. Këta kuzhinierë do të bashkëpunojnë me blogerën e njohur të ushqimit që ka edhe emisionin e saj të gatimit, Linda Haxhibrahimi, kusë bashku do të realizojnë një emision gatimi në Albi Mall në Prishtinë, me një përzgjedhje të larmishme të pastave të përgatitura në çast, edhe në këtë rast të traditës së Rajonit të Pulias. Në mbyllje, një mbrëmje ekskluzive (përsëri në “Swiss Diamond”), e organizuar nga ICE dhe AIS, që i kushtohet shijimit të verërave italiane dhe vajit të ullirit, të kombinuara me një meny italiane.

Gjatë gjithë “Javës” disa restorante të përzgjedhura në Prishtinë dhe rrethinë do të ofrojnë meny speciale të kuzhinës italiane me çmim fiks prej 10 Eurosh. Këto janë: “Bagolina”, “Bruni Pizzeria”, “Delish Te Linda” (Albi Mall), “Extra Fish Pejton”, “Jana Napoletana”, “Mimoza” (Graçanicë), “Perla Te Linda”, “Pinocchio”, “Ponte Vecchio”, “Soma Book Station”, “The White Tree“.