Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

JAVA E KUZHINËS ITALIANE NË KOSOVË: NJË UDHËTIM MES SHËNDETIT, KULTURËS DHE INOVACIONIT

losco SCIM2024

Nga data 24- 30 nëntor 2025 do të mbahet në Kosovë edicioni i dhjetë i “Javës së kuzhinës italiane në botë” (SCIM 2025), me temën: Kuzhina italiane mes shëndetit, kulturës dhe inovacionit, organizuar nga Ambasada e Italisë në Prishtinë në bashkëpunim me Agjencinë ICE në Tiranë, kompetente edhe për Kosovën.

Qëllimi i këtij edicioni është të vërë në pah mënyrat e shumta përmes të cilave mund të qasemi ndaj kuzhinës italiane, si një mozaik dijesh dhe vlerash, duke vënë në qendër rolin e saj si një model ushqyerjeje të shëndetshme, të ekuilibruar dhe të qëndrueshme, si dhe aspektet e inovacionit dhe kërkimit që e karakterizojnë

Për SCIM 2025, Ambasada e Italisë në Kosovë do të ketë si të ftuar të posaçëm shefin ekzekutiv të restorantit Procaccini në Milano, Emin Haziri, së fundmi i nderuar me yllin e tij të parë Michelin. Shefi Haziri, italo-kosovar, përveçse një ndër përfaqësuesit më të rëndësishëm të gjeneratës së re të kuzhinës italiane, falë historisë së tij prekëse personale – në moshën vetëm shtatëvjeçare mbërriti në Itali me familjen e tij në këmbë duke lënë Kosovën gjatë viteve të errëta të luftës — përfaqëson simbolin e pasurisë dhe bukurisë së marrëdhënieve mes Italisë dhe Kosovës.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, deklaroi: “Ky edicion i dhjetë i SCIM na kujton se kuzhina italiane ka qenë gjithmonë një trashëgimi në evolucion të vazhdueshëm: një dialog mes kreativitetit, mirëqenies, kërkimit dhe cilësisë, që arrin të bashkojë territore, histori dhe njerëz. Në këtë frymë, jemi veçanërisht të kënaqur që mundësuam rikthimin në Kosovë të Emin Hazirit, i ftuar i posaçëm i këtij edicioni. Prania e tij mishëron më së miri lidhjet e thella të miqësisë dhe bashkëpunimit mes Italisë dhe Kosovës, dhe tregon se si kultura  dhe kuzhina mund të bëhen ura të mirëfillta mes komuniteteve tona.”

Me këtë rast, Shefi Haziri ka përgatitur një meny ekskluzive për SCIM25 për darkën gala (vetëm me ftesa), të organizuar nga Ambasada Italiane, e cila do të mbahet më 27 nëntor në Hotel Swiss Diamond në Prishtinë.

Shefi deklaroi: “Marrja e yllit tim të parë Michelin është një emocion që ende e kam të vështirë ta përshkruaj. Të kthehem në Kosovë menjëherë pas kësaj, me rastin e Javës së Kuzhinës Italiane në Botë, ka për mua një domethënie edhe më të thellë. Është vendi nga vij, toka që familja ime u desh ta linte kur isha fëmijë dhe mundësia të kthehem sot si shef italian është një rreth që mbyllet. Do të sjell me vete një pjesë të Italisë që më pranoi, më formoi dhe më dha mundësinë të ndërtoj të ardhmen time, dhe këtë do ta bëj përmes një menyje që paraqet shëndet, inovacion dhe kulturë gastronomike. Është nder të jem i ftuar i posaçëm i këtij edicioni dhe të përfaqësoj, me historinë time, lidhjen e gjallë dhe të sinqertë mes Italisë dhe Kosovës.”

Gjatë darkës, të ftuarit do të kenë mundësinë të degustojnë verëra italiane të Cantina Le Macchie, të përzgjedhura dhe kombinuara profesionalisht me çdo pjatë të menysë nga Shoqata Italiane e Somelierëve (AIS) – Klubi Albania, falë mbështetjes së Agjencisë ICE në Tiranë.

Gjithashtu, përgjatë gjithë javës, Ambasada do të mirëpresë në Kosovë profesorë dhe nxënës nga Instituti i Arsimit të Lartë “Vergani Navarra” i Ferrarës, qendër ekselence në fushën e enogastronomisë. Falë kontributit të tyre, do të ofrohet një javë e pasur me përvoja kulinare dhe trajnuese.

Aktivitetet do të nisin më 25 nëntor me një sesion trajnues kushtuar temës qendrore të javës, përmes një ligjërate mbi Mjekësinë Kulinare në Kolegjin UBT në Prishtinë, mbajtur nga profesori Tommaso Centrella i Institutit Vergani Navarra, duke bashkuar njohuritë mjekësore e ushqyese me gastronominë, me fokus te vetitë e dobishme të përbërësve kryesorë të kuzhinës italiane.

26 nëntor, Shefi Haziri, së bashku me profesorët dhe studentët e Institutit Vergani Navarra, do të zhvillojnë një masterclass për profesionistë të gastronomisë pranë kompanisë Frigo Deluxe, e specializuar në pajisje për gastronomi.

Në vijim, Ambasadori Antonini së bashku me Shefin Haziri do të marrin pjesë në emisionin e njohur televiziv “Ora e pasdites” për të folur për kuzhinën italiane dhe SCIM2025 për audiencën e gjerë televizive.

27 nëntor, në Tech Park të Prishtinës, do të zhvillohet ngjarja “Taste the future: HoReCa & Slow food connections” në kuadër të zbatimit të projektit HoReCa Kosovo me vlerë 4 milionë euro, i realizuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) së bashku me ILO, që synon të trajnojë të rinjtë dhe të krijojë mundësi punësimi në sektorët e turizmit dhe hotelerisë.

Java do të përmbyllet më 28 nëntor me një show cooking të hapur për publikun në qendrën tregtare Albi Mall, gjatë të cilit profesorët dhe nxënësit e “Vergani Navarra” do të prezantojnë pjata përfaqësuese të traditës kulinare italiane, të konceptuara për të vënë në pah vetitë ushqyese dhe të shëndetshme të përbërësve kryesorë, pa lënë mënjanë traditën.

Ju ftojmë të ndiqni në rrjetet tona sociale aktivitetet e Javës së Kuzhinës Italiane në Botë – #SCIM2025

Këtu gjeni programin e aktiviteteve të organizuara në Kosovë.