Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Dita botërore kundër homofobisë, transfobisë dhe bifobisë (17 maj)

Me rastin e Ditës botërore kundër homofobisë, transfobisë dhe bifobisë (IDAHOT), kushtuar këtë vit temës “Trupat tanë, jetët tona, të drejtat tona”, Farnesina rithekson fuqishëm se të drejtat e njeriut janë të drejta të pacenueshme të personit, të cilat duhet të garantohet për të gjithë, pa dallime apo diskriminime, duke përfshirë ato të bazuara në orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Për ta bërë këtë angazhim më konkret, me rekomandimin e ministrit Di Maio, nëntorin e kaluar Sekretari i Përgjithshëm i Farnesina, Ambasadori Sequi, ka vendosur figurën e “Të dërguarit te posaçëm për të drejtat e njeriut të personave LGBTIQ+ në botë”, duke i besuar detyren e kryetarit te Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Njeriut, Ministrit Fuqiplotë Fabrizio Petri. Veprimi i të Dërguarit Special fokusohet veçanërisht në promovimin e dekriminalizimit të homoseksualitetit në botë.

Si një dëshmi simbolike e angazhimit italian në botë për mbrojtjen e të drejtave të personave LGBTIQ+, këtë vit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar për herë të parë vendos një pankartë me 6 ngjyrat e flamurit ylber në fasadën e Farnesinës (i ashtuquajturi “Flamuri i Lirisë”). Një fotografi në grup në mbështetje të personave LGBTIQ+, e publikuar në rrjetet sociale të selisë, është bërë edhe nga Ambasada jonë në Prishtinë.

Ka ende shumë shtete ku personat LGBTIQ+ vazhdojnë të vuajnë nga diskriminimi, margjinalizimi, abuzimi dhe dhuna, duke përjetuar shkelje sistematike të të drejtave të tyre themelore. Në shumë raste, të njëjtat marrëdhënie pëlqimi midis të rriturve të së njëjtës gjini konsiderohen krim, i dënueshëm edhe me vdekje.

Italia promovon të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të personave LGBTIQ+ në të gjitha forumet kompetente shumëpalëshe – në nivel evropian dhe ndërkombëtar – dhe në marrëdhëniet bilaterale me vendet e tjera, duke vepruar për të hequr ato barriera që i pengojnë ata të gëzojnë plotësisht të drejtat civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore. Lufta kundër të gjitha formave të diskriminimit, përfshirë ato të bazuara në orientimin seksual dhe identitetin gjinor, ka qenë një prioritet i mandatit tonë të fundit në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (2019-2021) dhe është gjithashtu në qendër të Semestrit tonë aktual të Presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. E mbështesim mandatin e Ekspertit të Pavarur të Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen nga dhuna dhe diskriminimi në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor (SOGI) dhe jemi anëtarësuar në “Grupin e Vendeve Mike” përkatës. Për më tepër, së bashku me partnerët e Bashkimit Evropian, ne kemi kontribuar në miratimin e Planit të Veprimit të BE-së për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë (2020-2024) i cili përfshin një angazhim specifik nga institucionet evropiane dhe shtetet anëtare për të parandaluar dhe luftuar të gjitha format e diskriminimit ndaj personave LGBTIQ+ dhe Strategjisë per barazi LGBTIQ+ 2020-2025.

Italia është gjithashtu anëtare e koalicionit kryesor ndërkombëtar për promovimin e të drejtave të personave LGBTIQ+ në botë, Koalicionit për të Drejtat e Barabarta.