Questo sito utilizza cookies tecnici (necessari) e analitici.
Proseguendo nella navigazione accetti l'utilizzo dei cookies.

Qëndrueshmëri e inovacion në Rrugën Dinarica: mbështetje italiane për 31 operatorë turistikë kosovarë

villaggio22

Montimi i paneleve diellore, blerja e pajisjeve për sportet malore, efiçenca energjetike e objekteve akomoduese në lartësi të mëdha. Këto janë vetëm disa nga projektet që fituan tenderin e shpallur nga OSC “Volontari nel Mondo RTM” në kuadër të projektit të bashkëpunimit zhvillimor “NaturKosovo: kapitali natyror dhe kulturor në Kosovë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit të Rrrugës Dinarica”, financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor (AICS).

Ndër propozimet e përzgjedhura (31), për një buxhet total prej 360 mijë eurosh, bien në sy nismat që synojnë rinovimin e objekteve akomoduese, kontrollin e konsumit të energjisë, por edhe blerjen e makinerive agroushqimore dhe pajisjeve të sigurisë për sportet malore. Veç kësaj, projektet e përzgjedhura përfshijnë nisma promovuese, të cilat do të ndihmojnë në nxjerrjen në pah të burimeve natyrore, kulturore dhe historike të zonës, duke promovuar tërheqjen e vizitorëve.

“Qëllimi përfundimtar është përmirësimi i cilësisë së shërbimeve turistike të ofruara, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e vlerës së pasurive të Kosovës, edhe falë njohurive të aktorëve të rëndësishëm italianë, si Klubi Alpin, Korpusi Kombëtar i Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik dhe Shoqata Italiane e Turizmit të Përgjegjshëm, që janë transferuar në këto dy vitet e para të projektit”, deklaroi ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu.

Lidhur me procedurën e përzgjedhjes, Drejtorja e AICS Tiranë Stefania Vizzaccaro vuri në dukje se si “cilësia e propozimeve të paraqitura konfirmoi ndikimin pozitiv të të gjithë projektit, duke dëshmuar për entuziazmin dhe angazhimin e komuniteteve vendore në zhvillimin e sektorit të turizmit të territorit të vet”.

Në të njëjtën linjë, Francesco Gradari , Menaxher i Projektit  për Ballkanin i “Volontari nel Mondo RTM”: “Mbi njëqind aplikimet e pranuara tregojnë një interes të lartë për thirrjen. Numri i propozimeve të para-përzgjedhura aktualisht është, megjithatë, vetëm i përkohshëm, ne po punojmë për të zgjeruar mbështetjen e Fondit për projektet aktualisht në listën rezervë.”

I gjithë dokumentacioni referues lidhur me Fondin Ndihmës NaturKosovo është në dispozicion në këtë link, duke përfshirë listën e kandidatëve të para-përzgjedhur.

NaturKosovo është një nismë e financuar dhe promovuar nga AICS Tirana me mbështetjen e Ambasadës së Italisë në Prishtinë, e zbatuar nga OSC Volontari nel Mondo RTM dhe CELIM Milano në bashkëpunim me Utalaya Foundation, CAI – Club Alpino Italiano, CNSAS – Korpusi Kombëtar i Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik, AITR – Shoqata Italiane e Turizmit të Përgjegjshëm.

 

(Published on 11.01.2024. Updated on 25.06.2024)