Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Diplomacia ekonomike

Zyra Ekonomike dhe Tregtare e Ambasadës së Italisë në Prishtinë koordinon aktivitetet e promovimit ekonomik në Kosovë, duke pasur si objektiv rritjen e shkëmbimeve tregtare, rrjedhën e investimeve dhe bashkëpunimin teknologjik midis dy vendeve. Zyra ofron informacion, asistencë dhe shërbime për kompanitë dhe operatorët ekonomikë italianë që operojnë ose synojnë të operojnë në Kosovë. Kjo bëhet në koordinim me Zyrën ICE-s në Tiranë, e cila ka kompetencë edhe për territorin e Kosovës.

KUADRI I PËRGJITHSHËM

Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosova ka bërë përparim të dukshëm në miratimin dhe zbatimin e politikave dhe rregulloreve të orientuara drejt tregut të lirë. Përveç kësaj, vendi ka ndërmarrë një sërë masash për të përmirësuar mjedisin favorshëm ndaj biznesit. Sidomos në vitet e fundit, promovimi tregtar dhe sipërmarrës, si dhe tërheqja e investimeve të huaja, janë bërë një nga prioritetet kryesore për zhvillimin e Kosovës.
Kosova është pjesë e CEFTA-s (Marrëveshja për Tregtinë e Lirë të Evropës Qendrore), Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila është veçanërisht aktive në shvillimin e infrastrukturës së vendit. Hyrja në fuqi, në vitin 2016, e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka shënuar një pikë kthese të rëndësishme.

Në veçanti, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit parashikon:

  • liberalizimin e gradual të shkëmbimeve tregtare mes Kosovës dhe BE-së, me synimin e krijimit të një zone të tregtisë së lirë;
  • afrimin e legjislacionit kosovar me atë të Bashkimit Evropian, në fusha si konkurrenca, prokurimi publik, të drejtat e pronës intelektuale;
  • fuqizimin e bashkëpunimit në sektorë kyç si energjia, transporti, mjedisi, drejtësia dhe çështjet e brendshme;
  • mbështetjen financiare dhe teknike të BE-së për të shoqëruar Kosovën në reformat e nevojshme. Perspektiva e anëtarësimit në BE përfaqëson një nxitje të fortë për Kosovën për të vazhduar në rrugën e reformave demokratike dhe të tregut. Është një shtysë thelbësore për të konsoliduar shtetin ligjor, për të përmirësuar klimën e investimeve dhe për të forcuar konkurrencën ekonomike të vendit. Megjithëse me një sipërfaqe të vogël, me një popullsi prej vetëm 1.58 milion banorësh, Kosova ofron një sërë avantazhesh konkurruese për investime dhe aktivitete ekonomike. Ndër këto dallohen:
  • afërsia gjeografike me Italinë dhe tregjet evropiane, me infrastrukturë që vazhdon të përmirësohet falë investimeve të rëndësishme vitet e fundit;
  • përdorimi i euros si monedhë zyrtare, një element stabiliteti dhe lehtësimi të shkëmbimeve;
  • legjislacioni dhe rregulloret fiskale të favorshme për investimet e huaja;
  • kosto të ulëta të fuqisë punëtore, me një pagë mesatare bruto mujore prej 521 euro, që bie në 473 euro në sektorin privat.

Këta faktorë e bëjnë Kosovën një destinacion tërheqës për kompanitë italiane dhe ato evropiane që synojnë të zgjerojnë aktivitetet e tyre në një kontekst ekonomik në zhvillim dhe me perspektiva të mira rritjeje.

KUADRI MAKROEKONOMIK DHE SHKËMBIMI TREGTAR

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ekonomia e vendit ka vazhduar të rritet edhe gjatë vitit 2025. Në tremujorin e dytë të vitit 2025, rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) arriti në 4,58%, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me 4,32% në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Për vitin 2026, si Fondi Monetar Ndërkombëtar ashtu edhe Banka Botërore parashikojnë një rritje reale të PBB-së përkatësisht 3,8% dhe 3,9%, e cila pritet të stabilizohet rreth 4% në afat të mesëm.
Sipas ASK-së, norma e inflacionit ishte 1,6% në vitin 2024, krahasuar me 4,9% në vitin 2023 dhe 11,6% në vitin 2022. Megjithatë, në dhjetor 2025 u regjistrua një rritje prej 5,3%. Ndërkohë, shkalla e papunësisë, në 10,8%, mbetet në thelb e qëndrueshme krahasuar me vitin e kaluar.
Kosova karakterizohet nga një nivel i lartë hapjeje ndaj tregtisë ndërkombëtare; në vitin 2025, vëllimi i përgjithshëm i shkëmbimeve tregtare arriti pothuajse 8 miliardë euro.
Sipas analizave tona të bazuara në të dhënat mujore paraprake të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës deri në dhjetor 2025, me një shkëmbim total prej mbi 398 milionë euro (28,9 milionë euro importe nga Italia dhe 369,4 milionë euro eksporte italiane drejt Kosovës), Italia renditet si furnizuesi i katërt i Kosovës me një pjesëmarrje rreth 5,2%, pas Gjermanisë (14,3%), Turqisë (13,3%) dhe Kinës (13,1%). Pas Italisë renditen Maqedonia e Veriut (5%), Shqipëria (4,1%) dhe Greqia (3,9%).
Italia është gjithashtu destinacioni i tetë për eksportet kosovare, me një pjesëmarrje prej 3,1%. Katër tregjet kryesore të eksportit të Kosovës gjatë periudhës në fjalë janë: Shqipëria (17%), Maqedonia e Veriut (14,7%), Gjermania (11,4%) dhe Zvicra (10,5%).
Rritja e vlerës së përgjithshme të shkëmbimit tregtar Itali – Kosovë (+8,15% krahasuar me vitin 2024) i atribuohet ekskluzivisht rritjes së eksporteve italiane (+11,64%), ndërsa eksportet e Kosovës drejt Italisë kanë pësuar një rënie të ndjeshme (-22,74%).
Sa i përket sektorëve kryesorë të shkëmbimit, në eksportet italiane drejt Kosovës dominon sektori i “produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit”, i cili përbën rreth 31% të totalit, i ndjekur nga “makineritë dhe pajisjet” me rreth 15%. Ndërkohë, në eksportet kosovare drejt Italisë, dy kategoritë kryesore janë artikujt prej gome dhe plastike si dhe substancat dhe produktet kimike.

MUNDËSITË

Si një vend në zhvillim, Kosova ofron një sërë mundësish investimi në sektorët e energjisë, bujqësisë dhe agroindustrisë, minerare, infrastrukturore dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, ndërsa sektorët që paraqesin potencialet më të mëdha në fushën e prodhimit janë ato të përpunimit të drurit, tekstilit-veshmbathjes dhe lëkurës.
Franchising është një fushë tjetër e mundësive, siç tregohet nga zgjerimi i vazhdueshëm i numrit të markave italiane dhe ndërkombëtare të pranishme këtu.
Këto të dhëna theksojnë diversifikimin dhe dinamizmin e ekonomisë kosovare, e cila u ofron investitorëve të huaj një gamë të gjerë mundësish për të shfrytëzuar potencialin e rritjes së vendit

(Përditësuar, më 12.03.2026)