Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Fjalimi i Ministrit të Jashtëm Tajani: “Angazhimi italian për integrimin e Ballkanit në BE” (Il Messaggero)

Ballkani nuk mund të presë më. Rinisja e aksionit italian në rajon, të cilin qeveria jonë e nisi me Konferencën e Triestes, më 24 janar, gjeti një fazë tjetër të rëndësishme në takimin ministror në Romë dje, të hënën, 3 prill. Së bashku me Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, si dhe presidencën suedeze të rradhës të Këshillit të BE-së dhe Komisionerin për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë, ne diskutuam se si ta bëjmë më konkret procesin e integrimit evropian të këtij rajoni.

Kemi dëgjuar me vëmendje kërkesën e fortë për Evropën dhe Italinë që vjen nga këto vende, aspiratën e tyre për të qenë pjesë e projektit evropian me të cilin ato ndjehen të lidhura ngushtë nga historia, kultura dhe ekonomia dhe në ndërtimin e të cilit dëshirojnë të kontribuojnë me energjinë e shoqërisë së tyre civile dhe entuziazmin e të rinjve të tyre. Diskutimi zbuloi qartë nevojën për të punuar së bashku për integrimin në mekanizmat dhe jetën institucionale të BE-së që në fazat fillestare të procesit të negociatave, veçanërisht në sektorët kyç si energjia dhe tranzicioni digjital, infrastruktura, arsimi, kërkimi.

Ajo që kërkojnë këto vende nuk është një zbritje në reformat që Bashkimi Evropian po u kërkon të miratojnë për të hyrë, por siguri për procesin, për kohën dhe mbi të gjitha për rezultatin përfundimtar. Në fakt, munda të prekja zhgënjimin e tyre me një proces integrues që vitet e fundit është bërë gjithnjë e më i çrregullt, edhe për shkak të një interpretimi të shpeshtë burokratik të dinamikës së negociatave nga Bashkimi Evropian. Duke vepruar kështu, harrohet vlera e jashtëzakonshme transformuese që ka procesi i integrimit për institucionet dhe shoqërinë civile të këtyre vendeve. Ëndrra evropiane rrezikon të bëhet një kimerë për të gjithë ata.

Zhgënjimi në rritje nga ana e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor për perspektivën evropiane të rajonit është një thirrje zgjimi që duhet të tronditë BE-në dhe shtetet e saj anëtare. Më lejoni të jem i qartë: Bashkimi Evropian nuk mund t’ia lejoj vetës humbjen e Ballkanin Perëndimor. Siguria evropiane – dhe agresioni rus kundër Ukrainës na kujton çdo ditë se sa e kërcënuar është sot – do të rrezikohej seriozisht nga kjo perspektivë. Italia është ndër vendet më të ekspozuara ndaj rreziqeve që do të lindte nga një skenar i tillë, edhe në frontin e migracionit.

Italia ndjen përgjegjësinë që të bëhet zëdhënëse e shpresave dhe pritshmërive të atyre që jetojnë në anën tjetër të Adriatikut dhe që e shohin fatin e tyre në një Evropë të bashkuar. Për këtë arsye qeveria italiane luftoi dhe punoi për dhënien e statusit të “kandidatit në BE” për Bosnje-Hercegovinën, simbol i kompleksitetit por edhe i potencialit të jashtëzakonshëm të këtij rajoni. Me të njëjtën vendosmëri do të vazhdojmë të punojmë që të ketë gjithnjë e më shumë Evropë dhe më shumë Itali në Ballkan.

Italia dëshiron të jetë protagoniste e paqes, ndërtuese e integrimit dhe prosperitetit. Ne kemi të gjitha kredencialet për ta bërë këtë. Dëshmojmë mirënjohjen e sinqertë për kontributin në stabilitetin rajonal të siguruar nga gratë dhe burrat tanë me uniformë; admirimi për mënyrën tonë të të bërit biznes i dëshmuar nga një tregti në rritje (+50% e tregtisë në gjysmën e parë të 2022 për një vlerë totale prej rreth 17 miliardë euro) dhe nga suksesi i nismave të tilla si “Forumi i parë i biznesit dhe shkencës Itali-Serbi” ku morën pjesë mbi 400 kompani.

Qeveria italiane është aty dhe do të bëjë pjesën e saj deri në fund, siç kujtoi Kryeministri në hapjen e takimit ministror në Romë. Angazhimi ynë në Ballkanin Perëndimor do të vazhdojë me shtysë dhe bindje të ripërtërirë. Ballkani nuk mund të presë më.