Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Ambasada shënon edicionin X të Italian Design Day, kushtuar Re-Design, me një emër të veçantë: Gaetano di Tondo

web

Edicioni i dhjetë i Italian Design Day 2026 konfirmohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme për promovimin e përsosmërisë italiane jashtë vendit. Në fokus të këtij viti është tema “RE-DESIGN. Rigjenerimi i hapësirave, objekteve, ideve dhe marrëdhënieve”, e cila shkon përtej një deklarate të thjeshtë dhe pasqyron një nevojë shumë aktuale: të mendojmë sërish mënyrën se si jetojmë hapësirat, si e projektojmë të tashmen dhe si ndërtojmë marrëdhënie më të ndërgjegjshme.

E organizuar nga Ambasada e Italisë në Kosovë, nisma do të zhvillohet në ambientet e Autostrada Biennale Hangar, duke zgjedhur si skenë Prizrenin – një qytet me identitet të fortë kulturor dhe arkitektonik, simbol i shtresëzimeve historike dhe dialogut mes gjuhëve të ndryshme.

Ngjarja, e planifikuar për të premten, më 10 prill, do të hapet me fjalët përshëndetëse të Chiara Castaldo, Zëvendës Ambasadore e Italisë në Kosovë, së bashku me Leutrim Fishekqiun dhe Vatra Abrashin, drejtorë dhe bashkëthemelues të Autostrada Biennale, partner i konsoliduar i Ambasadës dhe një pikë referimi në skenën kulturore të Kosovës, si dhe me Zëvendësministren e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi Krasniqi.

Momenti kyresor i ngjarjes do të jetë fjala e Gaetano di Tondo, President i Shoqatës Arkivi Historik Olivetti dhe Zëvendëspresident për Komunikimin në Olivetti. Ai do të sjellë një reflektim mbi vlerën e Re-Design në historinë dhe trashëgiminë e Olivetti-t: një mundësi e veçantë për të ndarë një shembull konkret se si inovacioni, kultura dhe përgjegjësia sociale mund të krijojnë modele të qëndrueshme dhe vizione për të ardhmen. Më pas do të zhvillohet një diskutim i hapur, i pasuruar nga kontributi i profesoreshës Flaka Xerxa Beqiri, Prodekane e Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës. Ngjarja synon të vërë në dialog vizionin industrial, kujtesën historike dhe formimin akademik, duke e rikthyer dizajnin në thelbin e tij më të thellë: si një mjet që i jep formë ndryshimit.

Në këtë kuadër vjen edhe reflektimi i di Tondos, i cili thekson vlerën kulturore të dizajnit si një çelës për të kuptuar inovacionin dhe për të udhëhequr transformimet bashkëkohore: «Olivetti e ka përjetuar gjithmonë Re-Design si një mënyrë të të menduarit: bindjen se çdo zhvillim bëhet më i fuqishëm kur dizajni vlerëson teknologjinë, e bën më të kuptueshme kompleksitetin dhe vendos njeriun në qendër. Kështu ndryshimi merr kuptim, dhe ky kuptim shndërrohet në një forcë të vërtetë që udhëheq të ardhmen».

Në përfundim të diskutimit të hapur do të zhvillohet një vizitë në ekspozitën “Olivetti në Femërore”, kushtuar rolit të gruas në fushatat ikonike publicitare të Olivetti-t.

Italian Design Day 2026 nuk paraqitet thjesht si një festë, por si një mundësi për reflektim dhe dialog mes së kaluarës dhe së ardhmes, mes estetikës dhe funksionit. Një moment ku dizajni rikthehet si një mjet konkret rigjenerimi dhe si një instrument që hap perspektiva të reja të përbashkëta.

——

Dita e Dizajnit Italian në Botë, e cila ka arritur në edicionin e saj të dhjetë, promovohet dhe koordinohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Edicioni vjetor parashikon një program të gjerë aktivitetesh promovuese në mbarë botën, të organizuara nga rrjeti i Ambasadave, Konsullatave, Instituteve Italiane të Kulturës dhe zyrave ICE jashtë vendit, në bashkëpunim me aktorët kryesorë të ndërkombëtarizimit në sektorin e drurit, mobilimit dhe dizajnit. Projekti bëhet pjesë e strategjisë për promovimin e përsosmërisë italiane, me synimin për të promovuar këta sektorë në tregjet e huaja – të cilët përbëjnë mbi 3% të eksportit total italian.