Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Gratë që ndryshojnë Arkitekturën: Ekspozita e markës italiane në Prishtinë

ROS05843

Një udhëtim në evolucionin femëror të profesionit të arkitektit, nga pionieret e fillimit të shekullit të 20-të te arkitektet e shquara sot, nga kolektivet multidisiplinorë te studiot e mëdha ndërkombëtare të drejtuar nga projektuese. Ky është kuptimi i ekspozitës “Buone Nuove – Women Changing Architecture”, e cila hapet të martën, 5 dhjetor në orën 11:30 në Fakultetin e Arkitekturës (Modelarium) në Universitetin e Prishtinës, ku do të jetë e hapur për vizitorë deri më 5 janar 2024 (çdo ditë nga e hëna deri të premten, nga ora 10:00 deri në 18:00).

Ekspozita është realizuar nga Ministria italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar (MAECI) në bashkëpunim me Fondacionin MAXXI të Romës, nën kujdesin e Pippo Ciorra, Elena Motisi dhe Elena Tinacci. Projektimi i ekspozitës është puna e Matilde Cassani, ndërsa projektimi grafik është i Cinzia D’Emidio. Në Prishtinë, “Buone Nuove” prezantohet nga Ambasada e Italisë në Kosovë dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit “Hasan Prishtina”, Komunën e Prishtinës dhe Shoqatën e Arkitektëve të Kosovës.

“Ekspozita – për të cilën jemi veçanërisht krenarë që ta sjellim në Prishtinë në kuadër të një turneu ndërkombëtar që ka prekur tashmë Suedinë, Katarin, Bosnjën, Shqipërinë – synon të ofrojë një pikëpamje të re dhe më përfshirëse për publikun, jo domosdoshmërisht të specializuar, mbi arkitekturën. Në veçanti, projekti në ekspozitë synon të dokumentojë dhe në ndonjë mënyrë të kompensojë kontributin e dhënë nga projektueset, çiftet, ekipet femërore, dhe kolektivet në arritjet dhe cilësinë e arkitekturës moderne dhe bashkëkohore në Itali, duke u përpjekur të eksplorojë pikat e lidhjes edhe me realitetin lokal”, shpjegojnë Ambasadori i Italisë në Kosovë Antonello De Riu dhe Drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë Alessandro Ruggera.

Në ngjarjen e prezantimit të ekspozitës, përveç Ambasadorit De Riu dhe Drejtorit Ruggera, marrin pjesë Dekanja e Fakultetit të Arkitekturës, Violeta Nushi, Kryetari i Prishtinës dhe njëkohësisht arkitekti, Përparim Rama, Kryetari i Shoqatës së Arkitektëve kosovarë Masar Dushi. Ngjarjen e mbyll një nga kuratorët e ekspozitës, Pippo Ciorra.

Ekspozita “Buone Nuove – Women Changing Architecture” shpalos rrëfimin e saj në kapituj. Kapitulli i parë – “Historitë e arkitekteve italiane” – u kushtohet ngjarjeve dhe projekteve të rreth njëzet prej eksponenteve më interesante të arkitekturës italiane nga periudha e pasluftës deri në ditët e sotme. Përfshihen emrat si Lina Bo Bardi, Gae Aulenti, Cini Boeri, deri te figura më të njohura të skenës së sotme si Maria Giuseppina Grasso Cannizzo dhe pastaj te arkitektet e reja dhe shumë të reja. Kapitulli i dytë – “Praktikat në Itali” – fokusohet në disa projekte të rëndësishme të realizuara në Itali nga arkitektet ndërkombëtare, shpesh në bashkëpunim me ndërmarrje dhe profesionistë vendas, në një periudhë që mbulon dy dekadat e para të këtij shekulli. Dy kapitujt e fundit – Narracionet dhe Vizionet – përfshijnë intervista me ekspertë dhe studiues mbi temën e “barazisë gjinore” në profesionet e arkitekturës dhe një seri veprash video, kushtuar marrëdhënies gjithnjë e më të ndërgjegjshme “midis gjinisë dhe hapësirës”.

Me rastin e prezantimit të ekspozitës në Shqipëri dhe Kosovë, një ekip arkitektësh vendas dhe historianësh të arkitekturës integruan përmbajtjen e saj duke prezantuar punimet e dy arkitekteve shqiptare, Shpresa Leka dhe Valentina Pistoli, dhe dy arkitekteve kosovare, Suade Doko Mekuli dhe Shqipe Nixha.