Ka përfunduar sot në Ambasadën e Italisë në Prishtinë seminari treditor i programit të avancuar për trajnimin e më shumë se 40 zyrtarë të Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Angjencisë Anti-Korrupsion dhe Gjyqësorit të Kosovës, i organizuar bashkërisht nga Ambasada e Italisë në Prishtinë dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë, në kaudër të aktiviteteve të Presidencës italiane të OSBE-së për vitin 2018.
Trajnimi kishte për qëllim forcimin e kapaciteteve të institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës për lufitmin e korrupsionit, përmes prezantimit të përvojave dhe teknikave të hetimit dhe parandalimit nga ana e Guardia di Finanza dhe Prokuroria Italiane. Në modulet e ndryshme të programit, pjesëmarrësit u informuan për tema të tilla si: aktivitetet parandaluese dhe masat represive; gjurmimi i rrjedhave financiare në hetimet e pastrimit të parave; mjetet juridike ndërkombëtare për hetimin e korrupsionit; teknikat hetimore si dhe konfiskimi i pasurive të fituara me veprimtari kriminale.
Në kuadër te Seminarit, më 18 tetor është mbajtur edhe një konferencë për medie me pjesëmarrjen e Ministrit të Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Abelard Tahiri, Drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit së Republikës së Kosovës, Shaip Havolli, Komandantit të Njësisë Speciale Anti-Korrupsion, Brig. Gen. Luigi Cosimo Scazzeri, Kryeprokurorit të Republikës së Astit, Dr. Alberto Perduca, Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jan Braathu dhe të Ambasadorit të Italisë në Prishtinë, Piero Cristoforo Sardi. Në hapje të konferencës për medie, Ambasadori Sardini theksoi se “lufta kundër korrupsionit është një pjesë thelbësore e forcimit të sundimit të ligjit, sepse korrupsioni është i dëmshëm për qytetarët, prish funksionimin efikas të institucioneve, imponon një barrë financiare në sistemin ekonomik dhe prish strukturën e vetë shoqërisë. Në afat të mesëm dhe të gjatë, korrupsioni minon potencialin e zhvillimit të Kosovës, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë social. “