Questo sito utilizza cookie tecnici, analytics e di terze parti.
Proseguendo nella navigazione accetti l'utilizzo dei cookie.

Preferenze cookies

Prishtina dhe Peja: takim i dyfishtë me muzikë italiane (14 e 15 dhjetor 2021)

Dy artistë të mëdhenj, kaq të largët në kulturë, origjinë, eksperienca jetësore, por të bashkuar duke qenë dy ikona absolute në skenën muzikore ndërkombëtare: kompozitori italian Ennio Morricone (1928-2020) dhe kompozitori argjentinas, por me origjinë italiane, Astor Piazzolla (1921-1992). Për t’i bashkuar ata më tej, në një mbrëmje homazh kushtuar muzikës live në respektim të masave anticovid, do të jetë grupi italian “I Solisti Romani”: eventi i promovuar nga Ambasada e Italisë në Kosovë në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës (IIC) të Tiranës, është caktuar për të martën më 14 dhjetor në orën 19.00 në kinema-teatrin “Kino Armata” në Prishtinë (hyrja pa pagesë).

Ansambli “I Solisti Romani” përbëhet nga 8 muzikantë: një kuintet me harqe (me tre violina nga Vincenzo Bolognese, Pierluigi Pietroniro dhe Simone Pittau, viola e Maurizio Tarsitanit dhe violonçeli i Benedetta Chiari), kitara e Roberto Zechini, kontrabasi i Andrea Pighi dhe bandoneon i Daniele Di Bonaventura. Të gjithë muzikantët kanë bashkëpunuar për mbi 25 vjet me Morricone, duke i dhënë “zë” notave të kompozuara nga Maestro dhe të regjistruara për qindra filma të paharrueshëm, nga “Një herë e një kohë në Amerikë ” nga Sergio Leone, te “Të paprekshmit” nga Brian De Palma, duke përformuar po ashtu me të në koncerte të shumta në mbarë botën. Përveç muzikës së Morricone, do të ketë hapësirë ​​edhe për përzierje të tangos dhe xhazit të Piazzolla-s, e cila në atë kohë shkaktoi kritika nga puristët e zhanrit, të cilët e quanin atë “vrasësi i tangos”, por që në fakt ngriti kompleksitetin dhe famën e valles argjentinase.

Pas Prishtinës, muzika italiane do të ndalet edhe në Pejë, në zonën perëndimore të Kosovës. Këtu Duo Jazz i përbërë nga Daniele Di Bonaventura dhe Roberto Zechini, do të hape falë mbështetjes së Ambasadës dhe IIC, edicionin lokal 2021 të Festivalit të Xhazit: takimi është të mërkurën më 15 dhjetor në orën 19:00 në Kinema “Jusuf Gërvalla”. Të dy me origjinë nga rajoni Marche, në Italinë qendrore, Di Bonaventura dhe Zechini do të propozojnë një përmbledhje këngësh në shenjë të eksperimentimit dhe improvizimit.