Pothuajse 15 minuta duartrokitje pa ndalur përshëndetën premierën e “La Traviata” të Giuseppe Verdit mbrëmjen e djeshme në Prishtinë, dirigjuar nga bullgari Nayden Todorov dhe mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar e Italisë dhe Ambasada e Italisë në Kosovë si pjesë e programit të promovimit kulturor 2022.
Mbi një mijë spektatorë u dyndën në Sallën e Sporteve “1 Tetori” për të parë bëmat e Violetës (sopranos kosovare Besa Llugiqi), Alfredos (tenori italian Emanuele D’Aguanno) dhe Germontit (baritoni shqiptar Gëzim Myshteka), në një bashkëprodhim nga Opera Shtetërore e Stara Zagorës (Bullgari), Teatri i Operës dhe Baletit të Tiranës (Shqipëri) dhe Filarmonisë së Kosovës. Të pranishëm ishin Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.
“Ndërsa po rishfaqen tensionet që nuk janë shuar asnjëherë në veri të Kosovën dhe që janë një burim shqetësimi i mëtejshëm në një Evropë tashmë të tronditur nga lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike, kemi vendosur të mbështesim këtë nismë për të rikonfirmuar se si kultura përfaqëson një mjet të fuqishëm i dijes dhe i paqes”, tha Ambasadori italian në Prishtinë, Antonello De Riu. “Një falënderim i veçantë shkon për institucionet kosovare që pikërisht me “La Traviata” kanë vendosur të themelojnë Operën e Kosovës, duke mbajtur premtimin e tyre për të plotësuar një kërkesë të kahmotshme të komunitetit artistik, i cili tashmë pret një teatër të vërtetë operistik”, shtoi Shefi i Misionit.
Repriza e“La Traviata” është planifikuar për nesër, e shtunë, 17 dhjetor.