Me rastin e 140-vjetorit të botimit të parë të librit të Carlo Collodi “Aventurat e Pinokut – historia e një kukulle prej druri”, teksti italian më i përkthyer në botë, vjen në Kosovë ekspozita “Pinoku shumë i dashur: dizajnerë dhe grafikë italianë rimodelojnë kukullën prej druri më të famshme në botë”. Ekspozita hapet në “Prishtina Mall”, qendra tregtare më e madhe në Evropën Juglindore. Hyrja do të jetë falas nga data 6 deri më 29 prill 2024 (çdo ditë në orarin10:00 – 22:00).
Realizuar nga “ADI Design Museum” e kuruar nga Giulio Iacchetti me një dizajn ekspozite nga Matteo Vercelloni dhe dizajn grafik nga Federica Marziale Iadevaia, ndalesa kosovare e ekspozitës është rezultat i bashkëpunimit mes Ambasadës së Italisë në Prishtinë, Institutit Italian të Kulturës (IIC) dhe Agjencisë ICE/ITA në Tiranë, përgjegjëse edhe për Kosovën, si dhe “Prishtina Mall”.
Ekspozita prezantohet nga një seksion historik, i kuruar nga Marco Belpoliti, që vizitorin e mirëpret me kopertina, vizatime dhe ilustrime historike dhe përfundon me një përzgjedhje të vizatimeve origjinale, të marra nga një prej veprave të fundit të Andrea Branzit, arkitekt, dizajner, teoricien dhe protagonist i padiskutueshëm i avangardës radikale, që u nda nga jeta së fundmi, të cilit i kushtohet ekspozita.
Zemra e “Pinoku shumë i dashur” janë 62 projekte të reja nga 31 dizajnerë dhe 31 grafikë, të krijuara posaçërisht për ekspozitën, shprehje e ndjenjës dhe punës së kaq shumë dizajnerëve italianë: një pamje e zgjeruar, e aftë të tregojë historinë e aftësisë së dizajnit italian për të krijuar imazhe dhe objekte të pakohë, duke festuar kështu mitin e Xhepetos, krijuesit dhe babait të Pinokut, “dizajneri i parë italian”, sipas kuratorit Iacchetti.
NGJARJA
Përurimi i ekspozitës në Prishtinë do të bëhet të shtunën, më 6 prill, në orën 19:00, nën prezantimin e Granit Miftarit (RTV21) dhe intervenimeve e Zëvendës Ambasadorit italian Ugo Ferrero, Menaxherit të Pronës të “Prishtina Mall” Alvaro Costa dhe Koordinatores së përgjithshme të “ADI Design Museum” Maria Pina Poledda. Krahas prezantimit të ekspozitës, është parashikuar edhe një lexim i veçantë në shqip i “Pinokut” kushtuar fëmijëve me lojëra dhe çmime.
“140-vjetori i librit të Collodi është një mundësi për të festuar dhe përkujtuar një kryevepër të letërsisë italiane, por edhe për të theksuar natyrën multidisiplinare të dizajnit që frymëzoi figurën e Pinokut, një dizajn që është trashëgimi e një pasurie kulturore të aftë për të bërë pyetje për t’iu përgjigjur nevojave të përditshme”, shpjegon Ambasadori italian në Kosovë Antonello De Riu.
“Ne jemi veçanërisht krenarë për këtë bashkëpunim kulturor me Ambasadën Italiane dhe aktorë të tjerë të Sistema Italia në Kosovë, i cili filloi me ‘Javën e Kuzhinës Italiane në Botë’. Gjurmë të dizajnit italian dhe produkte të shumta ‘Made in Italy’ janë shpërndarë në të gjithë qendrën tonë tregtare, e cila me hapësirat dhe ofertën e saj të larmishme synon të jetë një urë mes kulturave”, shton Alvaro Costa nga “Prishtina Mall”.
Gjatë ekspozitës në “Prishtina Mall”, shtëpia botuese “Dukagjini” ofron një zbritje speciale prej 10% për blerjen e librit “Aventurat e Pinokut” në librarinë saj në këtë qendër tregtare.
PINOKU DHE EKSPOZITA
“Aventurat e Pinokut. Historia e një kukulle prej druri” është një roman fantastik për fëmijë, i shkruar nga Carlo Collodi, pseudonimi i gazetarit dhe shkrimtarit Carlo Lorenzini, botuar për herë të parë në Firence në shkurt 1883. Rrëfen përvojat tragjikomike të Pinokut, një kukull prej druri që nga zdrukthëtari Xhepeto konsiderohet sikur të ishte i biri, i cili, falë ndihmës së Zanës me flokë të kaltër, arrin të piqet moralisht derisa bëhet një fëmijë i vërtetë. Versioni i parë shqip i librit u botua nga Cuk Simoni në vitin 1935.
Ekspozita “Pinoku shumë i dashur” u ekspozua në “ADI Design Museum” në Milano nga fundi i vitit 2023 deri në fillim të vitit 2024, duke tërhequr mbi 20 mijë vizitorë. Falë bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, ekspozita filloi një turne ndërkombëtar dyvjeçar, i cili tashmë ka prekur San Franciskon dhe Shkupin. Pas ndalesës në Prishtinë, ekspozita do të ndalet në Tiranë dhe më pas në Beograd. Më pas, do të vazhdojë udhëtimin e saj në pjesën tjetër të Evropës, Azisë dhe Amerikës. Në fund të turneut udhëtues, 62 Pinokët të realizuar posaçërisht do të shiten në një ankand bamirësie.
PRISHTINA MALL
“Prishtina Mall” është qendra më e madhe tregtare në Evropën Juglindore: ofron një shumëllojshmëri të gjerë të markave dhe shërbimeve për klientët, duke ofruar një përvojë unike dhe të paharrueshme. Është lider në argëtim dhe shopping në rajon.
Që nga përurimi i saj në vitin 2023, “Prishtina Mall” është bërë një destinacion i rëndësishëm si për vizitorët vendas ashtu edhe për ata rajonal. Qendra është shtëpia e mbi 230 dyqaneve dhe restoranteve, falë të cilave janë krijuar mbi 3000 vende të reja pune. Më 9 mars 2024 festoi përvjetorin e saj të parë.