Nga 23 deri më 27 nëntor do të mbahet në Kosovë edicioni i njëmbëdhjetë i Javës së Kuzhinës Italiane në Botë (SCIM), tema kryesore e së cilës këtë vit është: “Kuzhina italiane, trashëgimi e UNESCO-s: territoret dhe zinxhirët e prodhimit të produkteve të cilësisë së lartë”, organizuar nga Ambasada e Italisë në Prishtinë, në bashkëpunim me Agjencinë Italiane për Tregtinë (ICE) në Tiranë, kompetente edhe Kosovën.
Me rastin e hapjes së Javës së Kuzhinës Italiane në Botë 2026, Ambasada e Italisë në Kosovë, në bashkëpunim me ALMA-n, Shkollën Ndërkombëtare të Kuzhinës Italiane, ka ideuar një aktivitet krejtësisht të veçantë, të parin e këtij lloji në Kosovë. Më 24 nëntor, në ambientet e Frigo Deluxe, do të organizohet një garë gatimi, ku kandidatët e përzgjedhur do të konkurrojnë përpara një jurie të përbërë nga personalitete të njohura të fushës. Në përbërje të jurisë do të jenë Stefano Ciotti, shef kuzhine dhe pronar i restorantit Nostrano në Pesaro, i vlerësuar me një yll Michelin; Adelina Jashari Bikliq, pastry chef e njohur dhe e diplomuar në ALMA; Florina Skeja, shefe ekzekutive e restorantit Thana në Prishtinë; Chiara Castaldo, Zëvendësshefe e Misionit në Ambasadën e Italisë në Prishtinë dhe Fabio Amadei, përgjegjës për Kulturën Gastronomike dhe Qëndrueshmërinë në ALMA. Fituesi i garës do të fitojë një bursë studimi, të ofruar nga Ambasada e Italisë në Prishtinë, për të ndjekur një nga kurset prestigjioze të formimit profesional të ALMA-s në Itali.
Po atë ditë, gjithashtu në Frigo Deluxe, Shefi italian i kuzhinës me yll Michelin, Stefano Ciotti, do të mbajë një masterclass, ku do të marrin pjesë rreth 40 pronarë restorantesh dhe profesionistë të fushës. Nisma do t’u japë pjesëmarrësve mundësinë të shijojnë disa prej gatimeve të Shefit dhe të njihen më nga afër me parimet dhe vlerat që karakterizojnë kuzhinën italiane, të njohur si Trashëgimi Kulturore Jomateriale e UNESCO-s. Qëllimi nuk do të jetë vetëm prezantimi i recetave dhe teknikave të përgatitjes, por edhe përcjellja e kulturës dhe filozofisë që qëndrojnë në themel të traditës gastronomike italiane. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet freskisë së produkteve, reduktimit të mbetjeve ushqimore dhe pasurimit të shijeve përmes thjeshtësisë së përbërësve.
Programi i 25 nëntorit do t’i kushtohet një diskutimi më të thelluar mbi lidhjen mes gastronomisë dhe trashëgimisë kulturore. Në Kolegjin UBT në Prishtinë, profesori i ALMA-s, Fabio Amadei, do të mbajë një ligjëratë me titull “What We Eat Is Landscape” (Ajo që hamë është peizazhi), gjatë së cilës do të trajtojë lidhjen mes trashëgimisë UNESCO dhe zinxhirëve të prodhimit të produkteve agro-ushqimore të cilësisë së lartë, me një fokus të veçantë te Food Valley.
Dita do të përmbyllet me një Darkë Gala me ftesë, në ambientet e Swiss Diamond Hotel në Prishtinë, e përgatitur nga shefi italian i kuzhinës Stefano Ciotti, i vlerësuar me një yll Michelin, i cili do të krijojë një menu të veçantë për edicionin 2026 të Javës së Kuzhinës Italiane në Botë në Kosovë. Mbrëmja synon t’u ofrojë të ftuarve një përvojë të veçantë gastronomike, duke u dhënë mundësinë të njohin nga afër kuzhinën italiane përmes krijimeve të shefit Ciotti dhe traditave të pasura që e karakterizojnë atë. Darka do të shoqërohet me një përzgjedhje verërash italiane, të ofruara nga Agjencinë Italiane për Tregtinë (ICE) në Tiranë dhe të prezantuara nga AIS Albania (Shoqata Italiane e Somelierëve në Shqipëri), e cila do t’i udhëheqë të ftuarit në një degustim të verërave dhe në zbulimin e kulturës italiane të verës. Gjatë darkës gala do të shpallet edhe fituesi i garës së gatimit, të organizuar nga Ambasada.
Për të promovuar aktivitetet e SCIM dhe për t’i bërë ato të njohura për një publik sa më të gjerë, më 23 nëntor, në orën 08:00, Ambasadori Antonini dhe shefi Ciotti do të jenë të ftuar në emisionin televiziv “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK.
Gjatë gjithë javës do të vijojë edhe këtë vit bashkëpunimi me disa restorante italiane në Kosovë, të cilat do t’u ofrojnë klientëve një menu të posaçme me gatime të kuzhinës italiane, me çmimin promocional prej 10 eurosh. Këtij edicioni i janë bashkuar restorantet Spagu, Ponte Vecchio, Jana Napoletana dhe Lotta’s, të cilat, përmes menuve të tyre, do të kontribuojnë në promovimin dhe njohjen më të mirë të traditës gastronomike italiane.