Në Ambasadën e Italisë në Prishtinë u mbajt ceremonia e dorëzimit të pajisjeve teknike të destinuara për kërkim-shpëtimin malor në Kosovë, e shoqëruar nga nënshkrimi i marrëveshjeve për krijimin e stacioneve të kërkim-shpëtimit alpin.
Aktivitetet janë pjesë e projektit të Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) “NaturKosovo: Pasuria natyrore dhe kulturore në Kosovë dhe zhvillimi i qëndrueshëm turistik përgjatë Via Dinarica“, që përfaqëson një kontribut të fortë për vlerësimin e burimeve natyrore dhe kulturore të Kosovës dhe promovon një model të zhvillimit turistik me ndikim të ulët në mjedis, duke përfshirë komunitetet vendor përmes krijimit të mundësive ekonomike, duke ruajtur identitetet e tyre kulturore.
Në këtë ngjarje morën pjesë Ambasadori i Italisë, Antonello De Riu, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Republikës e Kosovës, Rozeta Hajdari, dhe kryetarët e komunave përfituese të Pejës, Deçanit dhe Junikut.
“Dorëzimi i pajisjeve dhe nënshkrimi që përcakton krijimin e stacioneve të kërkim-shpëtimit malor në zonat e përfshira dëshmon suksesin e një projekti që promovon në mënyrë aktive një partneritet publik-privat për përmirësimin e infrastrukturës turistike të segmentit kosovar të Via Dinarica. Falë aktiviteteve të trajnimit të parashikuara në kuadër të tij, projekti mbështet bizneset vendore dhe shoqatat e sektorit në rritjen e aftësive të tyre për mikpritjen në aktivitetet në natyrë, të cilat janë thelbësore për të tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë në këto peizazhe mahnitëse,” theksoi Ambasadori De Riu.
“NaturKosovo, së bashku me shumë projekte në zhvillim dhe ato të ardhshme në sektorët e shëndetësisë, arsimit, turizmit dhe kulturës, me një vlerë prej mbi 10 milionë euro, përveç atyre që janë në fazën e miratimit, janë rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer me AICS. Këto përfaqësojnë angazhimin e vazhdueshëm të Italisë për të fuqizuar institucionet kosovare, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të saj,” shtoi De Riu.
“Një falënderim i sinqertë për Qeverinë Italiane, Ambasadën dhe AICS-in për realizimin e këtyre stacioneve të kërkim-shpëtimit malor me staf shumë të kualifikuar, që tani do të mund të operojë me pajisje moderne në komunat përfituese të projektit NaturKosovo. Jam e bindur se këto aktivitete do të kenë një ndikim vendimtar në zhvillimin dhe përmirësimin e shërbimeve të turizmit malor dhe eksperimental në Kosovë,” theksoi Ministrja Hajdari.
“Sa i përket rezultateve të NaturKosovo, është e rëndësishme të theksoj 31 përfituesit e përzgjedhur përmes thirrjes për operatorë turistikë,” deklaroi Nicola Ghedin nga AICS Tirana, “si dhe Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar nga Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive e Kosovës (FBNSK) dhe CAI – Club Alpin Italian. Këto janë arritje që na bëjnë krenarë dhe që përfaqësojnë një hap përpara drejt zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm në Rajon.”
Pajisjet e dhuruara për “Shërbimin e kërkimit-shpëtimit malor të Kosovës”, pjesë e “Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive e Kosovës” (FBNSK), të cilat i shtohen pajisjeve tashmë të siguruara për shpëtuesit kosovarë, do të kontribuojnë veçanërisht në fuqizimin e kapaciteteve operative për ndihmën teknike dhe mjekësore në menaxhimin e pacientëve të traumatizuar, të fituara gjatë kurseve të trajnimit të zhvilluara nga Trupi Kombëtar Italian i Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik (CNSAS).
Në vijim, kryetarët Gazmend Muhaxheri i Komunës së Pejës, Bashkim Ramosaj i Komunës së Deçanit dhe Ruzhdi Shehu i Komunës së Junikut kanë nënshkruar marrëveshjet për krijimin e tri stacioneve të kërkim-shpëtimit malor, të vendosura në mënyrë strategjike për rastet emergjente në afërsi të pikave të hyrjes në shtegun kosovar të Via Dinarica, të cilat do të shërbejnë për ruajtjen e pajisjeve dhe si bazë logjistike për ekipet e shpëtimit.
“NaturKosovo” promovon segmentin kosovar të të Via Dinarica-s, një shteg për ecje që shtrihet për 120 km përmes rajoneve të Pejës, Deçanit dhe Junikut, duke u fokusuar në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm, duke vlerësuar burimet e shumta natyrore, kulturore dhe historike të zonës përmes përmirësimit të shtegut, fuqizimi të institucioneve vendore, mbështetjes së mikro-ndërmarrjeve (si bujtinat, zejtarët, prodhuesit agro-ushqimorë, etj.) dhe promovimit të markës “Via Dinarica Kosovë”
“NaturKosovo” është projekt i financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunimin në Zhvillim me mbështetje nga Ambasada e Italisë në Prishtinë, i realizuar nga Volontari nel Mondo RTM dhe CELIM Milano në bashkëpunim me Klubin Alpin Italian, Trupin Kombëtar Italian të Shpëtimit Malor dhe Speleologjik, Shoqatën Italiane për Turizmin e Përgjegjshëm dhe Fondacionin Utala