Votimi me postë për qytetarët italianë me banim jashtë vendit dhe opsioni për të votuar në Itali
Me dekretet e Presidentit të Republikës të datës 31/03/2025, të publikuara në Gazetën Zyrtare më 31/03/2025, është caktuar për datat 8 dhe 9 qershor 2025 mbajtja e referendumeve shfuqizuese sipas nenit 75 të Kushtetutës.
Kujtojmë se VOTIMI është një E DREJTË e mbrojtur nga Kushtetuta Italiane dhe se, bazuar në Ligjin nr. 459, datë 27 dhjetor 2001, qytetarët italianë rezidentë jashtë vendit, të regjistruar në listat zgjedhore, mund të VOTOJNË ME POSTË, duke marrë materialin zgjedhor në adresën e tyre të banimit. Për këtë arsye, rekomandohet të kontrollohet dhe të përditësohet gjendja personale dhe adresa pranë Zyrës konsullore përkatëse, mundësisht përmes portalit online të shërbimeve konsullore Fast It.
Si alternativë ndaj votimit me postë, zgjedhësit e regjistruar në AIRE mund të ZGJEDHIN TË VOTOJNË NË ITALI NË KOMUNËN E TYRE TË REGJISTRIMIT ZGJEDHOR, duke njoftuar me shkrim përzgjedhjen e tyre (OPSIONIN) pranë Konsullatës brenda 10 ditëve nga shpallja e zgjedhjeve. Personat që zgjedhin të votojnë në Itali për referendumin e ardhshëm do të marrin nga Komunat përkatëse italiane një kartolinë-njoftim për të votuar në qendrat e votimit në Itali. Kjo zgjedhje (opsion) vlen vetëm për referendumin për të cilin është shprehur.
Theksohet se, në çdo rast, opsioni DUHET TË MBËRRIJË në Zyrën konsullore JO MË VONË SE DHJETË DITË PAS SHPALLJES SË VOTIMEVE, PRA BRENDA DATËS 10.04.2025. Ky njoftim mund të bëhet me një letër të thjeshtë dhe – për të qenë i vlefshëm – duhet të përmbajë emrin, mbiemrin, datën dhe vendin e lindjes, vendbanimin dhe nënshkrimin e zgjedhësit, si dhe një kopje të një dokumenti identiteti të deklaruesit.
Për këtë komunikim mund të përdoret edhe formulari i posaçëm, i cili mund të shkarkohet nga faqja e internetit e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar ose nga faqja e internetit e Zyrës konsullore përkatëse.
Formulari, i plotësuar saktë, i nënshkruar dhe i shoqëruar me një dokument identiteti, mund të dorëzohet/dërgohet:
- Dorazi: nga e hëna në të enjte, ora 9:30 – 12:00, pranë Zyrës Konsullore të kësaj Ambasade;
- Me postë: Ambasada e Italisë në Prishtinë, Rr. Mujo Ulqinaku, 9 – Pejton – 10000 Prishtinë;
- Me e-mail të rregullt: consolare.pristina@esteri.it;
- Me e-mail të certifikuar: amb.pristina@cert.esteri.it.
Sipas legjislacionit në fuqi, zgjedhësit duhet të sigurohen që njoftimi i opsionit, nëse dërgohet me postë, të mbërrijë në kohën e duhur në Zyrën e tyre konsullore. Kërkesat e mbërritura pas afatit të sipërpërmendur NUK do të pranohen.
Zgjedhja për të votuar në Itali mund të REVOKOHET më pas me një komunikim me shkrim, i cili duhet të dërgohet ose të dorëzohet në Zyrën konsullore me të njëjtat mënyra dhe brenda të njëjtës datë të parashikuar për ushtrimin e opsionit.
Nëse vendoset kthimi në Itali për të votuar, Ligji NUK parashikon asnjë rimbursim për shpenzimet e udhëtimit, por vetëm lehtësira tarifore brenda territorit italian.
Zyra konsullore është në dispozicion për çdo sqarim të mëtejshëm.