Më 12 maj 2021, nga ora 9:00 e deri në 17:00, projekti “Luftimi i krimeve të rënda në Ballkanin Perëndimor”, i bashkëzbatuar nga Ministria e Punëve të Brendshme Italiane, GIZ e CILC dhe bashkëfinancuar nga Komisioni Europian, organizoi punëtorinë e parë virtuale nga tre punëtoritë e planifikuara lidhur me SPOC – Pika e vetme e Kontaktit (s) – dhe Ndërveprueshmëria, me titull Ndërgjegjësimi: Ndikimi i ndërveprueshmërisë në bashkëpunimin policor dhe punën e përditshme.
Kjo punëtori u organizua në kuadër të komponentës 7 të projektit, e cila merret me ndërveprimin dhe shkëmbimin e informacionit që synon të përmirësojë ndërveprueshmerinë e bazave të të dhënave dhe sistemeve të informacionit në mes shërbimeve të policive të shteteve përfituese të Ballkanit Perëndimor dhe sistemeve të tyre me sistemet dhe bazat e të dhënave rajonale, europiane dhe ndërkombëtare. Për më tepër, punëtoria kishte për qëllim të kontribuojë në përmirësimin dhe rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të mekanizmave të shkëmbimit të informatave duke siguruar zbatimin e proceseve teknike, standardeve dhe mjeteve që lejojnë sistemet e informatave të BE-së dhe të jo-BE-së të punojnë më mirë së bashku.
Në cilësinë e palëve përfituese, forcat e policisë se shteteve të Ballkanit Perëndimor janë ftuar të caktojnë një përfaqësues dhe eventualisht një Shef të SPOC (Pikë e Vetme e Kontaktit), të cilët ishin akterët kryesorë të këtij seminari, së bashku me palët e tjera të përfshira. SPOC përcaktohet si një “sportel unik” për të gjitha kërkesat ndërkombëtare të bashkëpunimit për zbatimin e ligjit të trajtuara në nivelin kombëtar. Policia e Kosovës u përfaqësua nga Z. Besnik Sallahu, drejtor i ILECU (Njësia për bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit) dhe dy zyrtarë policie nga e njëjta drejtori.
Siç theksoi z. Antonio Montanaro, zëvendësdrejtor i projektit nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme italiane, kjo punëtori ka krijuar një mundësi unike për një diskutim të thelluar mbi tematikat përkatëse me qëllim të parandalimit dhe zbatimit me interes të përbashkët lidhur me zona gjeo-kriminale specifike. Synimi është identifikimi i zgjidhjeve që mund të lehtësojnë bashkëpunimin e drejtpërdrejtë dhe efektiv midis shteteve. Krijimi i platformave të analizës dhe task forcave të posaçme, me mbështetjen e agjencive pjesëmarrëse të BE-së dhe organizatave ndërkombëtare, është e orientuar drejt trajtimit të kërcënimeve aktuale nga grupet kriminale që shfrytëzojnë flukse migratore me përmasa të mëdha, nga grupet terroriste ose grupet kriminale që kanë për qëllim fitimin e paligjshëm. Pikat e Vetme të Kontaktit do të sjellin dhe praktikojnë më shumë koherencë në morinë e sistemeve të informacionit dhe bazave të të dhënave të krijuara me qëllim të zbatimit të ligjit dhe në përputhje me nevojën e madhe e aktuale për të luftuar kundër krimit dhe terrorizmit, janë mekanizëm absolutisht i nevojshëm”.
Z. Carlo Verdiglione, drejtuesi i projektit nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme Italiane shtoi se, në të ardhmen e afërt, efektiviteti i strategjive të përbashkëta të sigurisë do të varet nga aftësia jonë për të përforcuar partneritetet në formën e një dialogu konstruktiv, i cili është një nga objektivat e punëtorisë së ardhshme. Në emër të Policisë së Kosovës, Z. Sallahu falënderoi projektin IPA për të gjithë mbështetjen e dhënë deri më tani, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar policor përmes shkëmbimit të informatave në kohë reale të mundësuar nga ndërlidhja bazave të tjera të të dhënave policore dhe ato të agjencive tjera të zbatimit të ligjit.
Siç është theksuar nga Komisioni Evropian (si DG HOME, ashtu edhe nga DG NEAR), bashkëpunimi policor ndërkombëtar ka të bëj me qasje njerëzore dhe siç e potencoi edhe përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, së bashku jemi gati.