Pas retrospektivave me prani fizike për regjisorët italianë Antonioni dhe Pasolini të organizuara në Kosovë nga Ambasada, nga e hëna, 13 qershor do të mbahet online edicioni i pestë i “Fare Cinema” (Të bësh kinema), përmbledhje e nisur në vitin 2018, që parasheh organizimin e një sërë nismash për promovimin e kinemasë dhe industrisë italiane të filmit në botë, nën kujdesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe rrjetit të Ambasadave, Konsullatave dhe Instituteve Italiane të Kulturës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, ANICA, Agjencinë ICE, Insitutin Luce – Cinecittà, Komisionet Italiane të Filmit dhe Akademinë e Kinemasë Italiane – Çmimet David di Donatello.
Edhe në vitin 2022 “Fare Cinema” propozon një ofertë të larmishme përmbajtjesh, ku mund të keni qasje falas online deri më 19 qershor, në portalin italiana dhe në platformën MyMovies.
Italian Renaissance është një cikël bisedash me autorë që përfaqësojnë vëmendjen e përtërirë kushtuar kinemasë bashkëkohore italiane nga festivale ndërkombëtare dhe kritikë të specializuar. Realizuar nga Fondazione Cinema per Roma, seriali shoqërohet me shikimin e filmave të shkurtër të nënshkruar nga secili prej autorëve të përfshirë.
Falë Akademisë së inemasë italiane dhe ANICA, Italian Screens paraqet pesë titujt finalistë në kategorinë “Filmi më i mirë i shkurtër” të çmimeve David di Donatello 2022.
Në njëqindvjetorin e lindjes së Vittorio Gassman, kësaj figure emblematike të kinematografisë italiane i rezervohet një homazh, me një intervistë me Alessandro Gassmann, e prodhuar posaçërisht dhe shikimin e dokumentarit “Jam Gassman! Vittorio mbreti i komedisë ” nga Fabrizio Corallo.
Një tjetër përvjetor i rëndësishëm që festohet këtë vit është përvjetori i Pier Paolo Pasolinit: me këtë rast, Cineteca di Bologna ka prodhuar Pasolini 100, një seri video-prezantimesh origjinale për filmat e Pasolinit, të cilat mund të shoqërojnë edhe shfaqjet në sallë.
Fare Cinema 2022: një edicion në të cilin kinemaja italiane paraqitet në aspektet e saj të ndryshme, falë një programi që varion nga autorë të mëdhenj të së kaluarës deri te tendencat artistike që janë shfaqur me sukses në skenë vitet e fundit, deri në premtimet më të fundit të prodhimit bashkëkohor.