Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Tajani në Forumin e Dubrovnikut: “Ballkanit prioritet për Italinë. Të ulen tensionet në Kosovë”

Ballkani Perëndimor është prioritet për qeverinë italiane, “sepse është Evropë”. Kështu deklaroi Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani në Forumin e Dubrovnikut 2023 të mbajtur më 7 dhe 8 korrik në Kroaci. Tajani kujtoi se Italia do të jetë nikoqire e një takim trepalësh, më 10 korrik në Ankona, me ministrat e jashtëm të Kroacisë dhe Sllovenisë. “Është e ftuar edhe Ministri i Jashtëm austriak, për të pasur një strategji të përbashkët në mënyrë që të kemi më shumë Evropë në Ballkan”, vuri në dukje Tajani. Sa i përket Ukrainës, “ne padyshim që e mbështesim anëtarësimin e plotë në BE, por e dëshirojmë atë edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ky është angazhimi ynë”, tha Ministri i cili kujtoi se si ushtarët italianë janë të përkushtuar për stabilitetin e rajonit në Bosnje Hercegovinë dhe në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Zëvendës Kryeministri Tajani foli në seancën e hapjes së Forumit së bashku me Kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviç, përfaqësuesin e lartë të BE-së Josep Borrell, Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Maria Pecinoviç-Buric dhe Kryetarin e Parlamentit kroat, Gordan Jandrokoviç. E pranishme në samit ishte edhe Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

“Ne po përballemi me sfida shumë të rëndësishme për sigurinë dhe paqen”, komentoi Ministri Tajani, “sfida që vijnë nga çdo kuadrat dhe që ne kemi për detyrë t’i përballojmë bashkërisht. Po mendoj, për shembull, për Mesdheun, një zonë prioritare për politikën e jashtme italiane, ku ne luajmë një rol udhëheqës si urë lidhëse mes Evropës dhe vendeve të bregut jugor. Qëllimi ynë është të kontribuojmë në stabilitetin dhe prosperitetin mes të gjitha vendeve të zonës”.

Në kuadër të punimeve, Zëvendës Kryeministri Tajani, ndër të tjera takoi Përfaqësuesin Special për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak. Në një postim në Twitter, duke komentuar takimin, ky i fundit shkruan: “Italia është një partner i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor dhe i jam mirënjohës për mbështetjen në mandatin dhe punën time. E informova Ministrin Tajani për situatën në dialog dhe për hapat e nevojshëm për lehtësimin dhe kthimin në negociata. Ne vazhdojmë të punojmë së bashku”.

 

Agencitë për media