Një delegacion i kryesuar nga drejtori i Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve (ADM), Andrea Mazzella dhe nga nënkoloneli, eksperti i Guardia di Finanza për Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi, Giampiero Carrieri, takoi në Prishtinë drejtorin e Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu. Në takim mori pjesë edhe Ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu.
Temë kryesore e takimit ishte, forcimi i bashkëpunimit aktual doganor për një luftë më efektive kundër trafikut të paligjshëm, por edhe mënyrat më të përshtatshme për të kryer kontrolle pa cenuar shkëmbimet tregtare fitimprurëse, të cilat në periudhën janar-tetor 2023, kanë shënuar një rritje prej 7.3% krahasuar me një vit më parë.
Angazhimi i Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve dhe Guardia di Finanza në Kosovë do të jetë gjithashtu një mbështetje për administratën dhe aktivitetet trajnuese për zyrtarët doganorë kosovarë, përmes përvojave specifike të trajnimit në vendin e punës.
Aksioni mbështetës italian për doganat e Kosovës synon të promovojë integrimin ekonomik rajonal në Ballkanin Perëndimor në bazë të marrëveshjes së tregtisë së lirë Cefta (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore) përmes zbatimit të një sistemi për shkëmbimin elektronik të dokumenteve tregtare.
Takimi u zhvillua pak javë pas vizitës në Romë të drejtorit të doganës së Shqipërisë, duke konfirmuar angazhimin e ADM-së për një zonë, atë të Ballkanit Perëndimor, me rëndësi parësore për interesat ekonomike dhe strategjike të Italisë.