Me një ceremoni të mbajtur në Pejë, njësia italiane e Batalionit Rezervë Operacional të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, përfundoi qëndrimin katërmujor në Kosovë. Këtë e ka bërë të ditur KFOR-i përmes një komunikate për media. Njësia përbëhej nga regjimenti i 186-të i parashutistëve “Folgore” (Rrufeja) dhe personeli shtesë nga ushtria italiane dhe karabinierët. Kol.l Giovanni Corrado, komandant i Regjimentit “Folgore”, u nderua me medaljen e meritës së NATO-s në shenjë mirënjohjeje për shërbimin e tij të shkëlqyer. “Do të doja që ky të ishte një moment mirënjohjeje për frymën me të cilën ky grup i shkëlqyer dhe heterogjen njerëzish përballoi dhe përfundoi misionin e vet”, tha Corrado. Zv. Komandanti i KFOR-it, gjeneral brigade Federico Bernacca, theksoi përpjekjet e vazhdueshme të misionit të NATO-s në tërë Kosovën për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në të mirë të të gjitha komuniteteve. Ugo Ferrero, Zv. Ambasador i Italisë në Kosovë, deklaroi se kontributi i rëndësishëm i Italisë në KFOR gjatë 25 viteve të fundit ka qenë sinonim i besimit dhe profesionalizmit, i njohur nga të gjitha palët e përfshira. Në ceremoni morën pjesë shumë autoritete civile dhe ushtarake, duke përfshirë Shefin e EULEX-it, Gjen. Div. Pietro Barbano, Komandantin e Komandës Rajonale të KFOR-it në Perëndim, Kol. Francesco Ferrara, Komandantin e MSU-së, Kol. Massimo Rosati dhe Komandanti i Karabinierëve të Komandës Rajonale Perëndimore, Maj. Francesco Giangreco.
Agjencia Ansa