Ambasada e Italisë në Kosovë dhe Kolegji Teknologjisë UBT festojnë edicionin e IX të Ditës së Dizajnit Italian me një konferencë dedikuar studentëve të Arkitekturës dhe Dizajnit, si dhe profesionistëve të fushës. Në këtë ngjarje do të trajtohet tema e këtij viti – “Pabarazitë. Dizajni për një jetë më të mirë” – nga arkitekti dhe dizajneri Alessandro Mason, së bashku me psikologen Alice Cazzolato, themelues të Studio GISTO. Projektet e tyre dallohen për qasjen e fokusuar në qëndrueshmërinë e materialeve, zhvillimin rrethor dhe mirëqenien sociale.
Ngjarja do të mbahet të hënën, më 10 mars, në orën 11:00, në hapësirat e Bibliotekës në Innovation Campus UBT në Lipjan. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi dhe Ambasadori, Antonello De Riu. Nga Komuna e Prishtinës do të jetë i pranishëm përgjegjësi për transformimin urbanistik, Ark. Gëzim Kastrati.
Tema e përzgjedhur për këtë vit është e lidhur ngushtë me atë të Ekspozitës së Ardhshme Universale të Trienales së Milanos, me titull “Inequalities. How to mend the fractures of humanity – Pabarazitë. Si të shërohen frakturat e njerëzimit”, e cila do të mbahet nga data 13 maj deri më 9 nëntor 2025.
Siç thekson Ambasadori Antonello De Riu, “falë aftësisë së tij për të integruar estetikën, funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë, dizajni përfaqëson një mjet thelbësor për të konceptuar zgjidhje inovative që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës, reduktimin e pabarazive dhe promovimin e një përparimi social gjithëpërfshirës dhe të barabartë“. Kjo qasje jo vetëm që i përgjigjet nevojave sociale dhe mjedisore, por hap edhe mundësi të reja biznesi, duke ofruar hapësira për zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve që dallohen për inovacion dhe përgjegjësi. Përmes kombinimit të krijimtarisë dhe qëndrueshmërisë, dizajni mund të shndërrohet në një motor të rritjes ekonomike, duke tërhequr investime dhe duke nxitur partneritete ndërkombëtare. Me këtë nismë, Ambasada riafirmon angazhimin e saj për të forcuar bashkëpunimin me institucionet universitare të vendit, duke vënë në dukje rolin strategjik të dizajnit dhe të bashkëpunimit ndërinstitucional në promovimin e shkëmbimit të njohurive dhe në nxitjen e sinergjive midis botës akademike dhe asaj ekonomike. “Ne synojmë të nxisim një dialog konstruktiv midis institucioneve, sektorit privat dhe komunitetit akademik, duke gjeneruar zgjidhje inovative që kontribuojnë për një të ardhme më të drejtë dhe të qëndrueshme“, deklaroi Ambasadori De Riu. “Ngjarja përfaqëson një mundësi përballjeje dhe rritjeje të ndërsjellë, duke synuar konsolidimin e rrjeteve të bashkëpunimit që bashkojnë kulturën, inovacionin dhe përgjegjësinë sociale. Kjo qasje jo vetëm që pasuron strukturën kulturore dhe sociale, por ofron gjithashtu perspektiva të reja tregu, duke e pozicionuar dizajnin si një urë lidhëse midis krijimtarisë dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm“, përfundoi Ambasadori De Riu.
E themeluar në vitin 2010, Studio GISTO bashkon dizajnin dhe kërkimin me një fokus të veçantë në qëndrueshmërinë dhe parimet e ekonomisë rrethore, duke u dalluar për angazhimin në transformimin e dinamikave mjedisore dhe sociale në mundësi për rigjenerim urban dhe kulturor, duke konfirmuar dizajnin si një mjet kyç për t’iu përgjigjur sfidave të së tashmes. Siç theksojnë themeluesit, qasja e tyre projektuese lind nga dëshira për të krijuar një ndikim pozitiv në shoqëri: “Marrëdhënia mes individëve dhe hapësirave, ndjenja e përkatësisë në një komunitet dhe kontributi në mirëqenien sociale janë elemente qendrore të punës sonë. Çdo zgjidhje është menduar për të promovuar përfshirjen, kohezionin dhe një cilësi të qëndrueshme të jetës.”
Për Rektorin Edmond Hajrizi, “Universiteti UBT rikofirmon angazhimin e tij për të pritur Ditën e Dizajnit Italian, një ngjarje që u ofron studentëve dhe stafit akademik mundësinë për të shkëmbyer mendime me ekspertë të njohur ndërkombëtarisht mbi një temë që promovon kreativitetin dhe inovacionin përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe me përgjegjësi sociale. Kjo qasje përputhet plotësisht me vizionin tonë arsimor, i cili gjithmonë vendos në qendër nevojat e shoqërisë, duke i kthyer sfidat globale në mundësi për rritje kolektive.” Në përfundim të fjalës së tij, Prof. Edmond Hajrizi shtoi: “Jam shumë i kënaqur me bashkëpunimin tonë me Ambasadën e Italisë, që na mundësoi, përmes hapjes së një lektorati të mbështetur nga Ministria e Jashtme italiane, të integrojmë mësimin e gjuhës italiane në programet tona akademike dhe të fitojmë statusin e qendrës së certifikimit CELI, duke fuqizuar më tej lidhjet kulturore mes dy vendeve tona.”
Përveç ngjarjes së organizuar në UBT, me rastin e Ditës së Dizajnit Italian 2025, Zyra ICE në Tiranë ka organizuar një sërë aktivitetesh promovuese “Made in Italy”, me ekspozita speciale dhe oferta zbritëse në pika të ndryshme shitjeje në qytetet kryesore të Kosovës, veçanërisht në kanalet lokale të distribucionit të gjerë. Këto nisma synojnë të theksojnë ekselencën e dizajnit dhe artizanatit italian, duke nxitur një vlerësim më të madh dhe mundësi tregtare për produktet italiane në Kosovë.
***
Dita e Dizajnit Italian është një nismë tematike e lansuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar në bashkëpunim me Ministrinë e Pasurive Kulturore. Ngjarja vjetore përfshin një program të gjerë aktivitetesh promovuese në mbarë botën, të organizuara nga rrjeti i Ambasadave, Konsullatave, Instituteve Italiane të Kulturës dhe Zyrave ICE jashtë vendit. Çdo vit, mbi njëqind ambasadorë të dizajnit dhe krijimtarisë italiane marrin pjesë, duke ndarë historinë e ekselencës inovative dhe artistike të vendit tonë. Nisma është konsoliduar si një mjet efektiv për promovimin e dizajnit italian dhe për mbështetjen e ndërkombëtarizimit të këtij sektori strategjik për eksportin italian. Përveç kësaj, ajo forcon komponentën edukative dhe edukuese, duke nxitur ndërveprimin mes sistemit të arsimit të lartë italian dhe komuniteteve krijuese jashtë vendit. Kjo bashkëpunim synon të promovojë ofertën arsimore italiane në fushën e dizajnit dhe industrive kreative, duke nxitur talente të reja dhe zhvilluar aftësi profesionale. Përmes Ditës së Dizajnit Italian, Italia rikonfirmon kryesimin e saj global në dizajn, duke kombinuar traditën, inovacionin dhe qëndrueshmërinë për të frymëzuar brezat e ardhshëm dhe për të fuqizuar lidhjet kulturore dhe ekonomike në mbarë botën.