Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Java e gjuhës italiane në Kosovë: 7 ditë kushtuar letërsisë dhe mjedisit

settimana

Rikthehet Java e Gjuhës Italiane në Botë (16-22 tetor 2023), një ngjarje tradicionale që çdo vit mobilizon rrjetin kulturor dhe diplomatiko-konsullor italian jashtë vendit. Për këtë rast, Ambasada Italiane në Prishtinë dhe Instituti Italian i Kulturës i Tiranës, gjithashtu përgjegjës për Kosovën, prezantojnë një program kompleks ngjarjesh, me ekspozita, debate dhe shfaqje të dizajnuara si për audiencë të rritur ashtu edhe për të rinj. Tema e javës është “Italishtja dhe qëndrueshmëria”; Objektivi është promovimi në mbarë botën, nëpërmjet gjuhës italiane, të kulturës së qëndrueshmërisë e përcjellur nga një vend avangardë mbi çështjen mjedisore. Në qendër të ngjarjeve është edhe figura e Italo Calvinos (1923-1985), një prej shkrimtarëve më të mëdhenj italianë të gjysmës së dytë të shekullit XX, lindja e të cilit këtë vit shënon njëqindvjetorin. Ky është një autor me një mendim ekologjik vizionar, i cili në veprat e tij ka eksploruar shpesh marrëdhëniet midis njeriut dhe natyrës dhe tjetërsimin e individit në qytetet gjithnjë e më të industrializuara.

Java hapet të hënën më 16 tetor me përurimin në Muzeun Kombëtar të Kosovës – Lapidarium të ekspozitës ilustruese “Shkëlqesitë italiane – Figura për Italo Calvino” (kuruar nga Kooperativa Giannino Stoppani/Akademia Drosselmeier për Bologna Fiere, Rajonin Emilia Romagna dhe Ministria Italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar). Në ekspozitë do të shfaqen veprat e 31 ilustruesve italianë dhe të huaj, të cilët ndërkohë kanë eksperimentuar me artin grafik të teksteve të Calvinos kushtuar lexuesve më të rinj. Ekspozita është e hapur për publikun nga data 17 deri më 22 tetor (10:00 – 18:00) me hyrje falas.

Calvino diskutohet edhe në aktivitetin e organizuar në Ambasadën Italiane të mërkurën më 18 tetor në konferencën e Riccardo Castellana (Universiteti i Sienës) kushtuar “Il sentiero dei nidi di ragno – Shtegu e folesë së merimangës” (Einaudi, 1947), romanit të parë të shkrimtarit italian. Moderuar nga Majlinda Bregasi (Universiteti Hasan Prishtina). Në Fakultetin Filologjik të universitetit kryesor kosovar, të enjten më 19 tetor është planifikuar biseda “Jashtë botës” nga Christian Balzano, i krijuar nga artisti italian për të ngritur pyetje për gjendjen e planetit, natyrën e kontaminuar dhe kontaminuese. Për mjedisin diskutohet edhe në filmin vizatimor Yaya and Lennie – The Walking Liberty (2021) me regji të Alessandro Rak, i planifikuar për të premten më 20 në kinemanë “Kino Armata”. Në të njëjtën ditë do të bëhet edhe inaugurimi i seksionit të librave italianë të përkthyer në gjuhën shqipe, dhuruar nga Instituti Italian i Kulturës së Tiranës për Universitetin e Prishtinës.

Gjatë gjithë javës do të zhvillohen lexime nga tekstet e Italo Calvino dhe seminare për qëndrueshmërinë: janë të përfshirë “Qendra e gjuhës” e Universitetit “Hasan Prishtina”, shkolla “Don Bosko”, “Qendra Dante”, “Britannica ELT” dhe “UBT” me Raffaella Ritucci (lektore MAECI), Andjana Makolli, Arjieta Berisha dhe Edmond Ramadani.

“Po përgatitemi të festojmë një ngjarje e cila prej 23 vitesh dhe më përfshirjen e rrjetit tonë diplomatik-konsullor ka animuar debatin për gjuhën tonë në botë, këtë vit të fokusuar në konceptin e qëndrueshmërisë. Gjuha italiane, pra, si një mjet për qasje në mirëkuptim, ndërgjegjësim, edukim dhe respekt për mjedisin. Ne do të flasim për italishten dhe qëndrueshmërinë jo vetëm për të ilustruar angazhimin e Italisë në luftën kundër ndryshimeve klimatike, por edhe për të thelluar në veprën e një prej intelektualëve më të mëdhenj italianë të shekullit të njëzetë, Italo Calvino, në njëqindvjetorin e lindjes së tij. Nëpërmjet një debati dhe një ekspozite vizatimesh të krijuara për të rinjtë, por jo vetëm, do të përpiqemi të stimulojmë reflektimin mbi ndikimin e qytetërimit tonë në mjedis, që ka qen një nga temat qendrore të veprave të shkrimtarit. Me kalimin e shekujve, ideja e mjedisit dhe e marrëdhënies midis njeriut dhe natyrës është formuar edhe përmes letërsisë. Por është mbi të gjitha në epokën bashkëkohore – të ekspozuar ndaj pasojave të krizës klimatike, kolapsit të biodiversitetit, përhapjes së pandemive – që letërsia dhe ekologjia gjejnë elemente të implikimit të ndërsjellë. Shpresa është që rileximi i veprës së Calvinos mund të na ndihmojë të bëhemi më të vetëdijshëm, më pak indiferentë dhe të gatshëm për të krijuar një planet më të mirë”, deklaroi ambasadori Antonello De Riu.

Java e gjuhës italiane në botë mbahet çdo vit në javën e tretë të tetorit. Organizohet nga rrjeti diplomatik-konsullor dhe institutet italiane të kulturës në bashkëpunim me partnerët kryesorë për promovimin gjuhësor (Ministria e Kulturës MiC, Ministria e Arsimit dhe Meritës MIM, Ministria e Universitetit dhe Kërkimeve MUR, Qendra për Libër dhe Lexim CePeLL, Qeveria e Konfederatës Zvicerane, Accademia della Crusca, Këshilli i Përgjithshëm i Italianëve Jashtë vendit CGIE, Komuniteti i Radios dhe Televizionit italishtfolës, Instituti i Enciklopedisë Italiane Treccani, RAI Italia dhe Società Dante Alighieri). Me kalimin e kohës, Java është bërë ngjarja më e rëndësishme në shkallë globale kushtuar gjuhës italiane. Që nga themelimi i saj në vitin 2001, kjo veprimtari ka marrë çdo vit Patronazh të Lartë nga Presidenca e Republikës.

Ndiqni ngjarjet e Javës XXIII të gjuhës italiane në botë – #SLIM2023 në rrjetet sociale.

Shihni bashkëngjitur programin e nismave të organizuara në Kosovë.