Viza për bashkim familjar me personin me vendbanim ne Itali që nuk është shtetas italian ose i BE-së, i lejon hyrjen në Itali personit që përmbush kushtet e së drejtës për bashkim familjar sipas legjislacionit italian në fuqi. Personat që kanë këtë të drejtë janë si më poshtë:
– bashkëshorti/ja që nuk është i/e ndarë zyrtarisht dhe nuk është nën moshën 18 vjeç;
– fëmijët natyral apo të birësuar që në datën e kërkesës së Nulla Osta-s kanë qenë të mitur;
– prindërit që nuk kanë fëmijë të tjerë në Vendin e origjinës ose prindër mbi 65 vjeç, fëmijët e të cilëve, për arsye të rënda shëndetësore të dokumentuara, nuk janë në gjendje t’i mbajnë ekonomikisht;
– fëmijët e rritur nën përkujdesje (mbi 18 vjeç), që për shkak të invaliditetit të tyre plotë nuk janë në gjendje të kujdesen për vete as për nevojat bazike jetësore.
Çdo banor i Kosovës që kërkon vizë për bashkim familjar në Itali duhet të paraqitet personalisht pranë Sportelit të vizave të Ambasadës së Italisë në Prishtinë në ditën e orën e caktuar dhe t’i dorëzojë personelit përkatës “Formularin e aplikimit për vizë”, të plotësuar në të gjitha pjesët e tij me shkronja të mëdha shtypi, me dy fotografi sipas standardit ICAO.
Kërkesës për vizë duhet t’i bashkëngjiten dokumentet në vijim me një fotokopje të tyre:
1. Pasaporta të vlefshme të paktën 16 muaj nga data e lëshimit të vizës së kërkuar;
2. Nulla Osta për bashkim familjar e lëshuar nga Sporteli Unik i Imigracionit me datë jo më të hershme se 6 muaj;
3. Fotokopja e lejes së qëndrimit në Italia, me afat;
4. Dokumentet e gjendjes civile që vërtetojnë lidhjen familjare me personin me banim në Itali:
– bashkim familjar me bashkëshortin/en: certifikata e martesës, e lëshuar nga Komuna përkatëse në datë jo më të hershme se 6 muaj, e legalizuar nga Departamenti i Gjendjes Civile në Prishtinë;
-bashkim familjar me prindin në Itali: certifikata e lindjes, e lëshuar nga Komuna përkatëse në datë jo më të hershme se 6 muaj, e legalizuar nga Departamenti i Gjendjes Civile në Prishtinë;
– bashkim familjar me djalin/vajzën: certifikata e lindjes e djalit/vajzës, e lëshuar nga Komuna përkatëse në datë jo më të hershme se 6 muaj, e legalizuar nga Departamenti i Gjendjes Civile në Prishtinë;
5 Deklarata mbi bashkësinë familjare, e lëshuar nga Komuna përkatëse në datë jo më të hershme se 6 muaj, e legalizuar nga Departamenti i Gjendjes Civile në Prishtinë;
Kujdes: në këtë dokument duhet të jenë të shënuar të gjithë anëtarët e familjes që banojnë në Kosovë.
***bashkim me prindin me vendbanim në Itali: të miturit që udhëtojnë vetëm, duhet të kenë edhe pëlqimin për dalje të përhershme jashtë shtetit, nga ana e prindit që rri në Kosovë, të lëshuar dhe nënshkruar para zyrtarit për viza të kësaj Ambasade ose te noteri.
***Bashkim me djalin/vajzën me vendbanim në Itali: vërtetimin e pensionit (nëse aplikuesi është në pension), kontratën e punës (nëse aplikuesi punon), vërtetimin e papunësisë (nëse aplikuesi është i papunë); certifikatën e vendbanimit të fëmijëve në Kosovë, të lëshuar nga komuna përkatëse dhe kopjet e lejeve të qëndrimit (nëse fëmijët jetojnë jashtë Kosovës).