Viza për garë sportive i lejon hyrjen në Itali personit apo grupit sportiv, që është ftuar të marrë pjesë në aktivitete apo manifestime të ndryshme me karakter sportiv.
Shtetasit e vendeve të treta që banojnë në Kosovë, të cilët, sipas shtetësisë së tyre, kanë nevojë për vizë për të hyrë në Itali për garë sportive duhet të paraqiten personalisht në Sportelin e vizave të Ambasadës së Italisë në Prishtinë në datën dhe orën e caktuar për të dorëzuar “formularin e kërkesës për vizë” me një fotografi sipas standardeve ICAO, të plotësuar në të gjitha pjesët me shkronja të mëdha.
Mund të verifikoni nëse keni nevojë të kërkoni këtë lloj vize në faqen Viza për Itali. Në këtë rast, duhet të plotësohet formulari për vizën e llojit C dhe duhet të bashkëngjiten dokumentet e mëposhtme me kërkesën:
- Pasaporta, e vlefshme për të paktën 3 muaj pas skadimit të vizës së kërkuar;
- Nulla Osta ose vërtetimi nga CONI (Komiteti Olimpik Kombëtar) ose nga Federata sportive italiane që të konfirmon pjesëmarrjen e të interesuarit në aktivitetin sportiv si dhe kërkon lëshimin e vizës hyrëse;
- Ftesa nga Klubi Sportiv Italian, me programin e ngjarjes sportive;
- Vërtetimi i lëshuar nga Federata përkatëse e Kosovës ku të vërtetohet kualifikimi dhe anëtarësimi i klubit sportiv në Federatë;
- Vërtetimi i lëshuar nga klubi sportiv përkatës ku të vërtetohet kualifikimi i sportistit të ftuar, (nëse dokumenti origjinal nuk është në gjuhën angleze ose italiane, atëherë duhet të përkthehet në gjuhën italiane nga një përkthyes gjyqësor, i njohur nga kjo Ambasadë);
- Dokumentet që vërtetojnë mbulimin e shpenzimeve financiare të qëndrimit në Itali (nëse nuk i merr përsipër ftuesi italian);
- Dokumentet që vërtetojnë qëndrimin në Itali: rezervimi i hotelit ose deklarata e mikpritjes e nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i Entit ftues në Itali me një fotokopje të letërnjoftimit;
- Dokumente që vërtetojnë gjendjen sociale dhe profesionale në Kosovë:
– për punëtorët me kontratë: kontrata e punës, vërtetim i punëdhënësit ku duhet të tregohen: data e fillimit të punës, kualifikimi profesional dhe paga mujore (nëse dokumenti origjinal nuk është në gjuhën angleze ose italiane, atëherë duhet të përkthehet në gjuhën italiane nga një përkthyes gjyqësor, i njohur nga kjo Ambasadë), si dhe vërtetimi i lëshuar nga Administrata Tatimore ku të vërtetohet pagesa e kontributeve për pension dhe tatimit në burim;
– për studentët: certifikata e regjistrimit e lëshuar nga shkolla ose Fakulteti; kontratat e punës së prindërve, vërtetim i punëdhënësit të këtyre të fundit ku tregohen: data e fillimit të punës, kualifikimi profesional dhe paga mujore si edhe vërtetimi i lëshuar nga Administrata Tatimore ku të vërtetohet pagesa e kontributeve për pension dhe tatimit në burim, (nëse dokumenti origjinal nuk është në gjuhën angleze ose italiane, atëherë duhet të përkthehet në gjuhën italiane nga një përkthyes gjyqësor, i njohur nga kjo Ambasadë);
- Dokumente që vërtetojnë gjendjen ekonomike dhe financiare në Kosovë:
– vërtetime mbi pasurinë e paluajtshme në Kosovë;
– pasqyra bankare origjinale (jo e fotokopjuar/skanuar) e llogarisë personale/ familjare/e biznesit e nënshkruar dhe vulosur, me qarkullimin bankar të vitit të fundit.
– fotokopja e kartelave bankare (vetëm pjesa e përparme).
- Dokumente që vërtetojnë mjetet e transportit: bileta e avionit vajtje/ardhje, nëse udhëtoni me makinë, fotokopja e dokumenteve të automjetit; nëse udhëtoni me autobus të organizuar, përveç dokumenteve të qarkullimit të autobusit duhet edhe kontrata e transportit;
- Dokumente që vërtetojnë qëndrime të mëhershme në hapësirën Schengen: fotokopja e vizave Schengen;
- Sigurimi shëndetësor ndërkombëtar i vlefshëm për zonën Schengen që mbulon çdo shpenzim shëndetësor dhe emergjent, shtrimin në spital, riatdhesimin për shkak të sëmundjes ose vdekjes, me mbulim jo më pak se 30,000 Euro.
- Vetëm për te miturit nën 18 vjeç:
– pëlqimi i prindërve për të dalë jashtë Kosovës, që jepet para zyrtarit të Zyrës së vizave në Ambasadën e Italisë në Prishtinë ose një deklaratë e të dy prindërve (ose prindit që rri në Kosovë) e nënshkruar personalisht te noteri, (nëse dokumenti origjinal nuk është në gjuhën angleze ose italiane, atëherë duhet të përkthehet në gjuhën italiane nga një përkthyes gjyqësor, i njohur nga kjo Ambasadë).